Pamje nga incidenti, dhjetëra persona të lënduar në një sinagogë në Izrael

Të paktën 60 persona u lënduan, disa prej tyre në mënyrë kritike, të dielën kur një zonë e ulur në tribunë u shemb në një sinagogë. Ajo ishte e mbushur me njerëz dhe ndodhet në një vendbanim hebre në Bregun Perëndimor(zone e okupuar), tha shërbimi i ambulancës Magen David Adom i Izraelit, raporton Reuters.

Incidenti ndodhi në vendbanimin e Givat Zeev, në veri të Jeruzalemit. Një zëdhënës i shërbimit të ndihmës së shpejtë tha se rreth 10 persona pësuan lëndime të rënda.

Një zëdhënës i policisë tha se 650 adhurues ishin në sinagogë në atë kohë, për fillimin e festës hebraike të Shavuot.

Pamjet e sigurisë në Channel 12 treguan një tribunë të mbushur me njerëz duke u shembur dhe njerëzit binin mbi njëri-tjetrin.