Palmer pret që Kurti dhe Vuçiqi të bashkëpunojnë në gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun, Metju Palmer, përpara një takimi të paralajmëruar në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq që do të mbahet në në mes të këtij muaji në Bruksel, deklaroi se pret që të dy liderët shtetërorë të bashkëpunojnë në avancimin e dialogut në mes vendeve të tyre, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Në një deklaratë për televizionin shtetëror të Kosovës RTK, Palmer porositi mbrëmë se Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian presin që procesi të rezultojë me “pajtim dhe marrëveshje” në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresojmë dhe presim (Kurti dhe Vuçiqi). Të angazhohemi në proces dhe të punojmë së bashku në identifikimin e përparësive, të punojmë në programin e punës, të fillojnë një proces. Ne ndiejmë një urgjence për këtë proces dhe presim që gjërat të lëvizin shpejt, për të arritur pajtim dhe marrëveshje. Ne do të jemi këtu për të ndihmuar atë process”, tha Palmer.

Diplomati amerikan tha se “nuk ka afate rrigoroze” për arritjen e marrëveshjes, por porositi se “sa më shumë që vonohet, aq më e vështirë do të jetë”.

“U takon pjesëmarrësve në proces të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe rrugës për në BE. Nuk i takon BE-së dhe SHBA-së të vendosin se çfarë të diskutojnë, si të zgjidhin çështjet dhe çfarë të vendosin në lidhje me vështirësitë dhe gjërat që ata duan të diskutojnë dhe të gjejnë kompromis”, tha Palmer.