Palevski në arrati, gjykata në Shkup cakton masën e paraburgimit për të njëjtin

Gjykata Penale e Shkupit i caktoi masë paraburgimi prej 30 ditëve të dyshuarit të parë për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski, , Ljupço Palevskit, me nofkën Pallço, i cili ndodhet në arrati, ndërkaq që do të zbatohet pas gjetjes së tij dhe privimit nga liria.

“Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës themelore penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë themelore publike, solli vendim me të cilin u pranua propozimi i Prokurorisë dhe Lj.P. me nofkën P. nga Shkupi i caktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve nga dita e gjetjes së tij dhe privimit nga liria, ndërkaq për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 1,2 dhe 3 nga LPP përkatësisht rreziku nga ikja, do ta pengojë procedurën penale me ndikim ndaj dëshmitarëve apo do ta përsërisë veprën. Në pajtim me urdhrin për zbatim të procedurës hetimore, për personin ekziston dyshim i bazuar për veprat penale Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 7 me nenin 22, Rrëmbim nga neni 141 paragrafi 2 neni 22 dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 288 paragrafi 1 me nenin 22 të KP”, kumtoi sot Gjykata Themelore Shkup.

Paraprakisht dje, Gjykata Penale me propozim të Prokurorisë, për të dyshuarin i cili ndodhet në arrati, me procedurë urgjente solli Urdhër për zbatim të hetimit për veprat penale – Rrëmbim nga neni 141 dhe Vrasje nga neni 123 nga Kodi Penal, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme shpalli fletë-arrest ndërkombëtar për Palevskin.

“Ljupço Palevski, i lindur më 12.12.1964 në Shkup kërkohet me fletë-arrest ndërkombëtar për hetim për veprat penale ‘rrëmbim’ dhe ‘vrasje’ me urdhër të dhënë nga Prokuroria themelore publike Shkup”, është publikuar në ueb-faqen e MPB-së.

Nga Gjykata përkujtojnë se gjatë ditës së djeshme, me propozim të prokurorit publik, gjykatësi i procedurës paraprake u caktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 48 orëve babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevskit, për shkak të rrezikut për ikje dhe pengim në hetim me ndikim ndaj dëshmitarëve dhe Velibor Manevit, Vllatko Keshishovit dhe Bore Videvskit, për shkak të rrezikut për ikje, ndikim ndaj dëshmitarëve si dhe frikës se do ta përsërisin veprën, përkatësisht do të kryejnë vepër tjetër penale.