Pakti me djallin!

Shkruan: Medai Shaholli
Tashmë është e qartë  dhe duket sheshit se partitë shqiptare të pozitës dhe të opozitës në ‘drzhavën Severna’ kanë bërë një pakt me djallin, ku janë dakorduar se në ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin deri në nëntor të këtij viti, nofka e turpit si 20% që përdhos identitetin tonë gjuhësor nuk do të hiqet nga kushtetuta për hir të ‘shansit të madh’ të hapjes së negociatave me BE-në.
Ndërsa emigrimi i shqiptarëve për një jetë më të mirë drejt perëndimit vazhdon, 20% do të ngelet një histori e së kaluarës pasi ajo shifër mund të bjerë në 5%, të përfaqësimit të shqiptarëve në këtë ‘drzhavë’ të çudirave, së bashku në një grup me pakicat e tjera si evgjitë dhe turqit e stisur apo boshnjakët e ‘makedonski muslimanët’ e shpifur.
Sipas planit të tyre afatgjatë dhe djallëzor sllavo-maqedonët duhet të ngelin kombi i vetëm i ‘drzhavës’, sepse pas emigrimit të detyruar të shqiptarëve në luftë për një jetë më të mirë jasht vendit, numri dhe rëndësia e partiçkave shqiptare për nga përfaqësimi do të bie në minimum.
 Kështu që blloku sllavo-maqedon do t’i kenë duart e lira dhe fjalën në majë të gjuhës me plotë pompozitet para ndërkombëtarëve se ‘drzhava’ jonë respekton të drejtat e pakicave të cilat marrë së bashku nuk do të përbëjnë as 10% të popullsisë.
Ky është pakti me djallin që partiçkat tona lidhën për hir të parasë dhe pushtetit ku me këtë ata bënë kurban identitetin gjuhësor të kombit tonë në kushtetutë si popull nomad pa identitet.
Ato nuk bënë asnjë përpjekje për ta ndaluar emigrimin masiv të shqiptarëve siç kaçkarisnin dhe premtonin nëpër fushatat zgjedhore për hapje të fronteve të reja të punës për të rinjtë shqiptarë në vend, por ata heshtën dhe sikur e ndienin bashkëfajësinë me pushtetin përball uraganit të emigrimit të shqiptarëve drejt perëndimit.
Derisa partiçkat tona finoke po ‘puthen’ Dhimon dhe Mickon, trojet shqiptare çdo ditë e më shumë po zbrazen nga të rinjtë shqiptarë, të cilët po ‘çajnë ferrën’ për një jetë më të mirë drejt perëndimit të cilën nuk e gjetën në ‘drzhavën Severna’!