Padia ndaj Serbisë për gjenocid, kush mund ta bëjë atë në vend të Kosovës?

Shkruan: Armira Shaqiri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se gjatë qeverisje së tij do ta padisin Serbinë për gjenocid ndaj popullit të Kosovës.

Por, profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins dhe eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka deklaruar se fakti që procesi gjyqësor për gjenocid nuk u paraqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar në Hagë për ish-Jugosllavinë në lidhje me krimet në Kosovë nuk do të thotë se shteti serb nuk mund të paditet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Megjithatë, ai bëri të ditur se nuk e di sesi mund të ndodhë kjo, për shkak se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është në mesin e shteteve nga statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Unë nuk jam jurist, prandaj nuk mund ta interpretoj këtë çështje në kuptimin juridik, por nuk mendoj se fakti që procesi gjyqësor për gjenocid nuk u paraqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë në lidhje me krimet në Kosovë nuk do të thotë se shteti serb nuk mund të paditet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Serwer.

“Por, siç e kam thënë tashmë, është e paqartë për mua nëse Kosova mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është në mesin e shteteve nga statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, potencoi Serwer.

Kelmendi: Padinë mund ta bëjnë të gjitha shtetet që me një mënyrë kanë qenë të implikuara në luftë kundër gjenocidistëve serb

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ngritje e padisë ndaj Serbisë është një fakt i pakontestueshëm dhe shumë domethënës për përgjegjësi penale dhe për drejtësinë Evropiane dhe botërore.

“Çështja e ngritjes së padisë për gjenocid kundër Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve nga ana e shtetit serb është një fakt i pakontestueshëm dhe shumë domethënës për përgjegjësi penale dhe për drejtësinë Evropiane dhe botërore. Serbia e ka zbatuar një politike në vitin 1998 dhe 1999 për të zhdukur qytetarët shqiptarë si komb nga Kosova. Politika gjenocidiale ka qenë e planifikuara dhe ka pasur elemente raciste të zhdukjes në masë të shqiptarëve. Krimi dhe terrori ka filluar para kohës së tillë dhe me plani “Potkoi” Serbia e ka planifikuar veprimin gjenocidial. Në zbatim të kësaj ishte plani gjenocidial për zhdukjen kombëtare të shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë Kelmendi.

Ai në vijimësi ka përmendur edhe faktet që tregojnë se në Kosovë është kryer gjenocid.

“Faktet që tregojnë gjenocidin janë: 1. Vrasjet dhe mbytjet masive dhe me intensitet nëpër katunde dhe në qytete, 2. Djegiet dhe shkatërrimet masovike, vjedhjet dhe grabitjet të tërë pasurisë së shqiptarëve, sikundër edhe shkatërrimi i infrastrukturës për jetë, 3.Ndjekjet e 1 milionë vetave me dhunë dhe terror, me plaqkitje dhe me ndjekje vrastare jashtë vendit duke krijuar kështu hapësirë të lirë dhe pa banorë, 4. Përdhunimet dhe mbytjet e fëmijëve dhe të shumë nënave shtatzëna, 5. Intensitet i krimit gjenocidial dhe 6. Planifikimi serbomadh në Beograd nëpërmjet planit “Potkoi” për zhdukjen fizike të shqiptarëve”, thotë Kelmendi.

Por, tutje ai shprehet se të gjitha këto fakte mund t’i tregojnë shtetet që janë anëtare në OKB dhe kështu padinë mund ta bëjë Anglia, Gjermania, Shqipëria, SHBA-të, Franca, Italia, Turqia.

“Faktet e tilla tregojnë se në Kosovë është bërë gjenocid dhe atë ka mundësi të dënon vetëm Gjykata Ndërkombëtare me padi të shtetit që është anëtare e OKB-së. Në fakt padinë e tillë mund ta paraqet Anglia, Gjermania, Shqipëria, SHBA-të, Franca, Italia, Turqia dhe të gjitha shtetet që me një mënyrë kanë qenë të implikuara në luftë kundër gjenocidistëve serb”, deklaron Kelmendi.

Ai thekson se edhe bombardimet kanë ndodhur kryesisht për shkak të veprimeve gjenonociale të shtetit serb mbi shqiptarët.

“Bombardimet janë bërë kryesisht për shkak të veprimeve gjenonociale të shtetit serb mbi shqiptarët. Ndihmat në ushqim dhe në strehim që janë dhënë për të dëbuarit në Shqipëri, në Maqedoni e në Malin e Zi për mbi 1 milionë shqiptarëve tregon për politikën gjenocidiale të bërë në Beograd dhe të zbatuar mbi këtë pjesë të kombit shqiptar”, shprehet profesori.

Më tej, ai ka renditur disa nga arsyet që sipas tij nuk janë ngritur akuza të tilla.

“Pse nuk janë ngritur akuzat e tilla, këtu nuk është fakti se nuk ka pasur mekanizma për padi. Përkundrazi. Padia nuk është ngritur për disa shkaqe: 1. Mos-fuqia e organeve në Kosovë për të bërë një padi të tillë, 2. Mos interesimi i pushtetit në Kosovë dhe të shtetit shqiptar për padi gjenocidiale, 3. Kompromiset e dhimbshme te UE dhe te SHBA-së me shtetin rus për çështjen e Serbisë, 3. Kundërshtimet nga vet shtetet e UE për këtë vlerësojmë të dhunës së bërë në Kosovë dhe 4. Raportet e vjetra dhe miqësore, si dhe shumë frytdhënëse për shtetin serb në botë”, ka theksuar ai.

Kelmendi në fund thotë se mundësia për padi ndaj Serbisë ka qenë nëpërmjet Shqipërisë.

Sipas tij, i takon kësaj qeverie të punon padinë dhe të bie në kontakt me shtetin shqiptar për të paraqitur atë pranë Gjykatës ndërkombëtare për krime.

“Natyrisht se edhe përkundër këtyre Kosova ka pasur mundësi që nëpërmjet Shqipërisë të ngritë padi për gjenocid ndaj shtetit serb. Njëherësh e ka pasur në dorë Kosova që mos të bisedon me shtetin serb pa përgjegjësi penale dhe gjenocidiale të bërë mbi shqiptarët. Tash i takon kësaj qeverie të punon padinë dhe të bie në kontakt me shtetin shqiptar për të paraqitur atë pranë Gjykatës ndërkombëtare për krime. Shqipëria ka obligime të dyfishta për këtë çështje madhore. Së pari, se është atdheu i shqiptarëve, ku gjysma e popullit shqiptar ka kaluar nëpër masa gjenocidiale të dhunës dhe të territorit serb dhe Së dyti, sepse Shqipëria i ka mbajtur mbi 1 milion shqiptarë të strehuar nga Kosova, që kanë qenë të dëbuar dhe të masakruar gjatë vitit 1998 / 99. Nuk ka dilemë se kjo mundësi ekziston dhe të njëjtën duhet zbatuar domosdo”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Krasniqi: Kosova të kërkojë ndihmë të shtetet mike

Kurse, avokati i shtetit Islam Krasniqi për “Bota sot”, është shprehur se padia është pak e komplikuar pasi që ne nuk jemi pjesë e OKB-së, për të qenë edhe palë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Është pak e komplikuar kjo çështje pasi që ne nuk jemi akoma pjesë e OKB-së, për të qenë edhe palë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes të cilës po pretendojmë që ta padisim shtetin e Serbisë për krimet e luftës”, potencon Krasniqi.

Mirëpo edhe Krasniqi shprehet se Kosova duhet ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe të fillojë dialogun me shtetet mike për mes të cilës mund të ushtrojë këtë të drejtë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet mirë të shqyrtojë këtë kërkesë dhe të fillojë dialogun me shtetet mike për mes të cilës mund të ushtrojë këtë të drejtë pasi që neve si shtet po na pamundësohet një e drejtë elementare sepse jemi palë e dëmtuar dhe pa vënien e drejtësisë nuk mund të ketë edhe stabilitet në rajon sepse këtu është kryer gjenocid, janë djegur mijëra shtëpi (ekonomi familjare) janë dëbuar mbi një milionë banorë nga shtëpitë e tyre dhe në fund të harrohet kjo gjë është sikur të jesh bashkëkryes”, ka thënë Krasniqi.

Në fund thotë se, Kosova duhet t’i drejtohet shtetit shqiptar për fillimin e procedurës e pastaj të kërkojë ndihmë edhe të SHBA.

“Andaj ne duhet të shfrytëzojmë shtetin shqiptar për fillimin e procedurës, por nëse kemi mundësi duhet të kërkojmë ndihmë edhe ndonjë shtet tjetër, siç është edhe SHBA-ja pasi që ata ishin ata që sollën dritë mbi këtë hapësirë”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.