Drejtoria e Policisë Financiare deri tek Prokuroria Themelore Publike Shkup shtroi padi penale kundër ish-ministrit të Bujqësisë, Aco Spasenovski.
Spasenovski ngarkohet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit. Në cilësinë e ministrit, në vitin 2009 ka mundësuar pagesën e 7,3 milionë denarëve për hulumtime shkencore, informoi Policia Financiare.
Padi penale janë shtruar edhe kundër pronarit të “Agro Konsalting Ndërkombëtar”, A.Gj., si edhe kundër personit juridik “Agro Konsalting Ndërkombëtar”.
“I denoncuari i parë A.S. në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave gjatë vitit 2009 i ndihmuar nga i denoncuari i dytë A.Gj., pronar dhe drejtues i personit juridik si i denoncuar i tretë Agro Konsalting Ndërkombëtar, e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe autorizimin në mënyrë që ka dhënë urdhër dhe ka paguar fatura në shumë të përgjithshme prej 7.338.551 denarësh për çka janë dorëzuar dhe janë pranuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave gjithsej 27 raporte të pavërteta për “kryerjen e hulumtimit shkencor dhe monitorimit”, gjegjësisht ka mundësuar që personi juridik si i denoncuar i tretë të fitojë dobi pronësore të paligjshme prej 7.338.551 denarësh, për të cilën shumë e kanë dëmtuar Buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, informoi Policia Financiare.