Fejzi HAJDARI
Maqedonia një Njësi zgjedhore, është dëshirë e kamotmshme e shqiptarëve. Sistemi elektoral në të cilin do të ketë peshën e saj vota shqiptare në çdo cep të Maqedonisë, ishte edhe dëshirë e kokave të ndritura të politikës shqiptare në Maqedoni, si Arbën Xhaferi, Nevzat Halili, Abdurraman Haliti, që lanë gjurmë të pashlyeshme në politikbërjen e këtushme. Ata e kishin ëndërr që një ditë në Maqedoni vota shqiptare në Manastir e Ohër, në Prilep e Veles, ta ketë peshën e njëjtë, sikur vota shqiptare në Likovë e Kumanovë, Shkup e Tetovë, Gostivar e Kërçovë, Saraj e Strugë.
Ideja për një Njësi zgjedhore ka qenë zgjidhje e dëshiruar edhe për BDI-në dhe udhëheqësinë e saj. Për këtë janë paraqitjet e tyre publike në të kaluarën e afërt. Por, tani janë bërë pishman jo se janë të brengosur për shqiptarët, por se kanë hall tjetër.
BDI është e vetëdijshme se i humb zgjedhjet e ardhshme, qoftë me një Njësi, qoftë me 3, qoftë edhe me 6 Njësi, ose me 10. BDI-ja, është e vetëdijshme se shqiptarët nuk kanë më tolerancë për politikat e saj të dëshuatara.
Duke kundërshtuar sistemin me një Njësi zgjedhore, BDI i bën shërbim vetëm VMRO-DPMNE-së.
Analizat e ekspertëve tregojnë se me një Njësi zgjedhore, më së shumti humb VMRO-DPMNE-ja. Ky është shkaku i vërtetë që partia e Ali Ahmetit e kundërshton me 5.000 amendamente, sistemin me një Njësi zgjedhore. BDI’ja, sheh ëndërra se duke mbetur sistemi aktual me gjashtë Njësi, VMRO-DPMNE-ja do të rikthehet në pushtet dhe do t’i marrë ata në qeveri, pa fituar shumicën e vullnetit të shqiptarëve. Veç le të vazhdojnë të shohin ëndrra, aspak mos të ndalen!
Opinione BDI i humb zgjedhjet edhe me 1 Njësi edhe me 6 Njësi...