Osmani tregon arsyen se pse BDI-ja bllokon Kodin Zgjedhor

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se mosbalancimi i numrit të votuesve në njësitë zgjedhore do të rezultonte në një proces zgjedhor të jashtëligjshëm. Bujar Osmani nga BDI thotë se mosbalancimi i numrit të votuesve është arsyeja që ata janë duke i bllokuar në Kuvend përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në Kodin Zgjedhor.

Osmani shton se devijimi nga 5%-shi ligjor në katër njësi zgjedhore e bën procesin zgjedhor joligjor, pohon se rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, janë të rëndësishme edhe për zgjedhjet, janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zgjedhjeve.

“Të hyjmë me vetëdije në shkelje të ligjit dhe në një proces joligjor, unë mendoj se rrezikojmë shumë aspekte; rrezikojmë që dikush të kontestojë në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe rrezikojmë që pesha e votuesit të jetë e ndryshme”, pohoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së. Amendamenti i tyre për Kodin zgjedhor i cili parasheh zhvendosjen e kufijve të njësive dhe kalimin e disa vendvotimeve nga njëra njësi në tjetrën u është dorëzuar LSDM-së dhe VMRO-së. Sipas Osmanit, LSDM-ja është duke bërë analizat kurse VMRO-ja vlerëson se nuk ka mjaftueshëm kohë për këto ndryshime. Mirëpo, zyrtarisht nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se Kodi zgjedhor ndryshohet me konsensus mes partive dhe se punojnë akoma për ta arritur atë. Nuk mundet, nëse dikush këmbëngul në diçka dhe kjo nuk votohet në Kuvend, të themi se shkelet ligjit. Ligji është ashtu siç është i shkruar dhe duhet të zbatohet”, tha mes tjerash Osmani./Alsat/