Osmani: S’kemi kohë të komentojmë veprimet e “Grupit të zjarrit”

Kuptohet se ekzistojnë edhe organe në suaza të shtetit dhe partive prej nga ne vijmë, që e bëjnë këtë vlerësim , kështu që nuk do të komentoja vlerësime joformale nga askush, këtë e tha mes tjerash ministri i Punëve të Jashtme nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani, i pyetur për vërejtjet që kanë grupi i pakënaqur brenda BDI-së ndaj ekzekutivit, përcjell TV21. Osmani tha se vlerësues objektiv i punës së Ministrisë që drejton ai është Komisioni Evropian.

“Nëse fillojmë të komentojmë çdo lloj të komentimeve joformale rreth punës sonë, nuk do të kemi kohë për të punuar. Vlerësimin e punës së ministrave, posaçërisht MPJ-së e bëjnë institucionet objektive siç është Komisioni Evropian. Mendoj se KE është vlerësuesi më objektiv i punës së institucioneve përkatëse, në veçanti në kushte kur kanë nisur bisedimet, sepse kushdo tjetër që bën vlerësime, ka dozë të subjektivizmit në atë vlerësim”, tha mes tjerash Osmani duke shtuar se është krenar me Ministrinë që drejton pasi ka marrë vlerësimin më të mirë nga KE./tv21.tv