Osmani: Përvoja e Kroacisë, shtysë për procesin e integrimit

“Kroacia si vend i cili e ka presidencën Këshillit të Bashkimit Europian, si dhe vend mik, e kupton më së miri aspiratën e popullit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, tha dr. Osmani. Sipas saj, kryesimi i Këshillit nga anëtari më i ri i Bashkimit Europian, mund të shërbejë si shtytje për t’i përqendruar energjitë tona në përshpejtimin e procesit të integrimit.

“Përvoja kroate mund t’i shërbejë popullit dhe institucioneve të Kosovës, për ta realizuar më shpejtë aspiratën e tij për integrim”, tha kryekuvendarja Osmani.

Edhe ambasadroja Danijela Barišić shprehu gatishmërinë e vendit të saj që ta thellojë edhe më tej bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e tjera, për ta lehtësuar integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Sipas saj, për Presidencën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm zhvillimi i politikave që prekin regjionin.

Ajo e siguroi znj. Osmani se vendi i saj do ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe procesin e përafrimit me Bashkimin Europian, si dhe të integrimit në të.