Osmani për vizitë në Lubjanë dhe Zagreb, do të takohet me Pahor, Logar, Plenkoviq dhe Radman

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot udhëton për në Lubjanë, ku nga dita e nesërme do të realizojë vizitë zyrtare në Slloveni dhe takim me Ministrin e Punëve të Jashtme, Anzhe Logar. Në kuadër të vizitës në Slloveni janë paraparë takime edhe me Presidentin Borut Pahor dhe Kryetarin e Parlamentit slloven, Igor Zorçiç.

– Advertisement –

Të martën, Osmani nga Lubjana do të udhëtojë direkt në Zagreb për vizitë pune në Republikën e Kroacisë, ku përveç takimit me homologun, Ministrin e Punëve të Jashtme, Goran Grliq-Radman, do të realizojë takim edhe me Kryeministrin Andrej Plenkoviq, si dhe disa takime në Parlamentin e Kroacisë.

– Advertisement –

Vizita e shefit të diplomacisë në vendet e rajonit ndodhë në prag të vendimeve të rëndësishme për perspektivën evropiane të vendit, në pritje të miratimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

– Advertisement –

Andaj edhe fokusi i takimeve pritet të jetë integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut, progresi i arritur i reformave dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke riafirmuar pritjet për mbështetje nga miqtë tanë për fillimin e negociatave brenda Presidencës gjermane me BE-në, deri në fund të vitit. Në bisedime pritet të hapen edhe tema të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht potencialet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe ballafaqimi i përbashkët rajonal me sfidat e pandemisë Covid-19.