Në kuadër të vizitës në Kosta Rikë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Uzra Zeya, nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit amerikan, Joe Biden.
Në këtë takim u diskutua për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
Presidentja Osmani foli edhe për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat.
Ajo gjithashtu theksoi se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike, përcjell Klankosova.tv.
“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, është shprehur ajo.
Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera.