​Osmani: Kosova duhet të përkrahet për anëtarësim në NATO me procedura të përshpejtuara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sërish ka kërkuar përkrahje për anëtarësim e Kosovës në NATO me procedura të përshpejtuara.

Ajo gjatë vizitës në Lituani, tha se Kosova ka perspektiv euro-atlantike, ndërkohë, theksoi se është absurde që në kuadër të Partneritetit për Paqe të NATO-s, gjenden shtete anti-NATO, si Bjellorusia e Serbia, por Kosova ende s’ka marrë ftesë për t’iu bashkuar partneritetit.

“Unë besoj se lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës ka krijuar një situatë krejtësisht të re në kontinentin tonë, ku anëtarësimi në NATO duhet shikuar nga perspektiva e sigurisë. Për këtë arsye, gjithë shtetet liridashëse në Evropë, që duan të kontribuojnë për paqe e siguri, meritojnë të jenë në NATO. Dhe aspiratat për anëtarësim të tyre duhet përkrahur. Besoj se jo vetëm Finlanda e Suedia, por edhe shtetet në rajonin tonë, si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, duhet të përkrahen me një proces të përshpejtuar anëtarësimi drejt NATO-s. E them këtë, jo vetëm se 93 për qind të qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në NATO, por edhe se ka qenë aspirata jonë historike që nga viti 1999, kur NATO na doli në ndihmë dhe ndaloi gjenocidin ndaj popullit tonë. Sot po përballemi me një situatë absurde, ku shtetet që janë anti-NATO, si Bjellorusia e Serbia, janë në Partneritet për Paqe, e Kosova ende nuk ka marrë ftesë për t’iu bashkuar Partneritet për Paqe”, tha ajo.

Në konferencën e përbashkët për medie me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se Serbia po vazhdon t’i shërbejë interesave të Rusisë në rajonin ballkanik.

“Për fat të keq fqinji ynë Serbia vazhdon t’i shërbejë interesit të Rusisë në rajon dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë e po vazhdon t’i shërbejë agjendës malinje e destabilizuese të saj”, shtoi Osmani.

Nga ana tjetër, presidenti i Lituanisë,Gitanas Nauseda, shprehu mbështetjen për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Dua t’ju siguroj se Lituania e mbështet plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin e saj territorial, aspiratat Euro-Atlantike, dhe përpjekjet e saj për konsolidimin e shtetësisë dhe për ndërtimin e një shteti demokratik, prosperues, dhe multietnik. Me lejoni qe të ju uroj juve, zonja Presidente dhe popullin e vendit tuaj për progresin që keni shënuar në rrugën e integrimeve evropiane. Lituania është e gatshme që ta ndaj me ju përvojën e saj, dhe këtë e theksova edhe gjatë takimit tonë, ndarjen e përvojave dhe zbatimin e reformave. Lituania përkrah Kosovën në aspiratat e saj për lidhje të ngushta me NATO-n dhe kështu të kontribuoj në forcimin e stabilitetit në rajon”, theksoi ai.