Osmani: Erdoganit ia shpreha përkushtimin e plotë të Kosovës për vazhdim të bashkëpunimit

Presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar rreth ceremonisë inauguruese të së shtunës në Ankara të Turqisë, ku mori pjesë të shtunën pas rizgjedhjes së Recep Tayyip Erdoganit president.

Osmani ka thënë se ia ka shprehur Erdoganit përkushtimin e plotë të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku ka ndarë edhe disa fotografi të kësaj ceremonie, Osmani ka thënë se ka biseduar edhe me liderë e miq të tjerë të Kosovës për rëndësinë e bashkëpunimit në këtë kohë, që sipas saj, është përcaktuese për sigurinë e përbashkët.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka bërë betimin dje për t’u bërë president i Turqisë në parlamentin turk, në Ankara. Në ceremoninë e betimit kanë marrë pjesë personalitet të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka fituar në zgjedhjet presidenciale të 28 majit./21Media