Osmani: Drejtësia për të vrarët në luftë, është angazhim i pareshtur i yni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Studenicës dhe atë të Llashticës ku forcat serbe 25 vjet më parë, me qëllim shfarosjen dhe spastrimin etnik, vranë gra, pleq e fëmijë.

“25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut.

Barbaria e regjimit kriminal nuk njohu moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë në kërkim të saj”, ka thënë Osmani.

Të njëjtën ditë, sipas saj, më 13 prill 1999 “makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar”.

“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka thënë presidentja Osmani.