Osmani: Do t’i respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecies, por Ligji nuk do të ndryshojë

Do t’i respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecies për Ligjin për përdorimin e gjuhëve përmes krijimit të kapaciteteve, me qëllim që implementimi i dygjuhësisë të mos krijojë probleme në shoqëri, deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

“Ndoshta ka interpretime të ndryshme për mënyrën se si do të implementohen ato rekomandime. Komisioni i Venecies thotë se nuk guxon dygjuhësia, për shkak të mungesës së kapaciteteve të shkaktojë probleme të caktuara në gjyqësi. Sepse qasja jonë do të jetë përmes planeve të mira të aksionit të krijojmë kapacitete me qëllim që dygjuhësia të implementohet më lehtë dhe të mos shkaktojë kurfarë probleme në gjyqësi. Sepse, siç thashë, sa është me rëndësi e drejta për gjuhë, aq me rëndësi është edhe shteti juridik”, tha Osmani duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, pas promovimit të programit “Korpusi evropian i solidaritetit” në Info qendrën e BE-së.

Osmani konsideron se nuk ka dallime të mëdha në qëndrimet e partnerëve qeveritarë të koalicionit BDI dhe LSDM rreth kësaj çështje.

“Mendoj se qëndrimet janë të ngjashme. Nëse e dëgjuat deklaratën e fundit të kryeministrit Zoran Zaev dhe të zëvendëskryeministres Shekerinska, janë të ngjashme me qëndrimet tona se nuk do të ketë hapje të çështjes për gjuhën, siç nuk do të ketë hapje të çështjes së Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë, edhe me gjuhën do të jetë njejtë”, tha zëvendëskryeministri.

Ai konsideron se nuk ka nevojë për ndryshim të Ligjit për gjuhët, por duhet të gjenden mënyra për zbatimin e mendimit të Komisionit të Venecies.

“Të përsëris edhe njëherë, tre dokumente të cilat janë në bazën e shtetësisë, e ato janë Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja me Bullgarinë dhe Ligjit për gjuhët janë dokumente të cilat janë të pakthyeshme dhe të cilat nuk do të jenë lëndë e kurfarë ndryshimesh, as të njëanshme, as çfarëdo qoftë ndryshimesh të tjera, por duhet të gjendet mënyrë se si do ta implementojmë qëllimin e Komisionit të Venecies për krijim të kapaciteteve me qëllim që implementimi i dygjuhësisë të mos krijojë probleme në shoqëri”, deklaroi Osmani.

Kjo, sipas tij, mund të bëhet përmes krijimit të kapaciteteve në gjyqësi, në administratë, me qëlliml siç theksoi, qytetarët shqiptarë të mund ta përdorin gjuhën e vet në komunikim me shtetin dhe të jenë të kuptuar nga shteti.

Për paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së se do të parashtrohen amandamente të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Osmani udhëzoi për përgjigje nga LSDM, duke pasur parasysh se është bërë fjalë për amandamente të njejta që në kohë të caktuar i kanë propozuar ata. BDI do të japë komentin e vet kur do të propozohen zyrtarisht.