Osmani: Akti terrorist në Banjskë, i dirigjuar nga Beogradi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për herë të parë publikisht pas aktit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Kjo ngjarje pritet të ketë ndikim edhe në procesin e dialogut ku presidentja Osmani ka hedhur si ide që dialogu të vazhdojë me SHBA-në. Ndërkohë derisa tashmë është konfirmuar nga autoritetet shtetërore të Kosovës se nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq ishte udhëheqës i grupit terrorist, Osmani ka thënë se së shpejti priten vendime institucionale ndaj Listës Serbe.

Presidentja e vendit për situatën në veri të vendit, pas aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ra heroikisht rreshter Afrim Bunjaku, tha se  pa asnjë dyshim ishin të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi, të cilat kishin për synim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

“Ka një kohë të gjatë që kam folur brenda dhe jashtë Kosovës për rrezikun që paraqesin këto grupe, të cilat që një kohë të gjatë janë trajnuar nga ushtria e Serbisë. Këto janë kryesisht struktura të natyrës paramilitare, të cilat janë të armatosura rëndë me mjete ushtarake,  janë të përgatitur që të luftojnë në stilin ushtarak dhe ka një kohë të gjatë që kanë sjellë edhe armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës e që kulmoi edhe me sulmin e para disa ditësh, të cilin, në përmasat që ishte planifikuar, e parandaloi Policia e Kosovës me profesionalizmin dhe përgatitjen e saj”, tha Osmani, teksa shprehu mirënjohjen e thellë për punën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës  në mbrojtjen sovranitetit, mbrojtjen e dinjitetit të shtetit tonë,  por mbi të gjitha mbrojtjen çdo qytetari të Kosovës  pa dallim etnie  nga këto grupe kriminale dhe terroriste .

Sipas saj, me rëndësi është që të gjitha institucionet e sigurisë dhe institucionet publike të punojnë pa reshtur që të parandalohen sulme të tilla në të ardhmen.

“Por është e domosdoshme që të kemi edhe bashkë rendim  të vazhdueshme me aleatët tanë të cilët janë edhe garant të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë”, shtoi presidentja e vendit, në RTK Prime.

Ndërkaq lidhur me vijimësinë e ashpërsimit të situatës, e para e vendit u shpreh se një shtet i cili akoma udhëhiqet nga mbetjet e Millosheviqit, “natyrisht që ne duhet të presim që ata t’i ashpërsojnë mjetet e të cilat i përdorin kundër vendit tonë”.

“Kjo nënkupton që ne këtë situatë të rëndë që ne po përballemi duhet të kemi unitet maksimal përbrenda vendit tonë, pavarësisht përkatësive politike etj., se duhet të gjithë te jemi me një zë dhe me veprime të përbashkëta në kundërshtimin e veprimeve të tilla të Serbisë, sepse vetme kështu ne i japim përkrahjen e institucioneve të sigurisë, të cilat në fakt po mbajnë barrën më të madhe për mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe e meritojnë që ne, si politikë,  të flasim me një zë në mbrojtje të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo më tej bëri të ditur për takimin e saj me liderët partiakë dhe me shefin e AKI-së, si dhe me institucionet tjera të sigurisë, sipas të cilës që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, ajo është koordinuar me partnerët tanë, që të gjithë të japin përkrahjen e nevojshme vendit tonë dhe sh[prehur nevojën e unitetit brenda institucionalë, politik e shtetëror.

“Policia jonë, djemtë dhe vajzat tona që po e rrezikojnë jetën për vendin tonë meritojnë që ne të gjithë te jemi një zëri në mbrojtje të Kosovës, prandaj sot i kam ftuar liderët e partive kryesore opozitare të Kosovës”, tha Osmani.

Ndërkaq lidhur me pjesëmarrjen e Radoiçiqit në këtë sulm, presidentja Osmani tha se deri me tani nuk kemi parë ndonjë mohim të presidenti Vuçiq për pjesëmarrjen apo jo të Radoiçiqit në këtë sulm.

“Mendoj që secili veprim dhe deklaratë e presidentit të Serbisë, nga sulmi e deri me sot, vetëm sa e ka konfirmuar involvimin direkt të tij dhe të gjitha strukturave shtetërore të Serbisë në sulmin që ka ndodhur kundër Kosovës dhe qytetarëve tanë”, shtoi Osmani.