Osimhen rinovon kontratën me Napolin

Victor Osimhen ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e tij të re me Napolin të vlefshme deri në qershor 2026.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis kishte lënë të kuptohet tashmë për marrëveshjen mes palëve, kur tha se mund të ishte ‘dhurata surprizë nën pemën e Krishtlindjes’ për fansat e tij.

Siç është traditë në Napoli, De Laurentiis mori vetë kontrollin e njoftimit, duke postuar imazhet e Osimhenit duke firmosur dokumentet me vetëm një fjalë: ‘U krye!’.

Disa minuta më vonë ishte edhe faqja zyrtare e klubit italian e cila konfirmoi rinovimin e kontratës së Osimhen, të vlefshme deri në verën e 2026.

 

Sipas raporteve duke përfshirë Sky Sport Italia, gazetarin Fabrizio Romano dhe të tjera, Osimhen do të rrisë pagën e tij në 10 milionë euro në sezon neto.

Në kontratë do të përfshihet gjithashtu një klauzolë lirimi, që besohet të jetë 120-130 milionë euro, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë gjatë verës.

Ndryshe, Napoli pagoi 75 milionë euro plus bonuse për të nënshkruar me Osimhen nga Lille në shtator 2020 dhe ai i ndihmoi ata të fitonin Scudetton, duke u bërë golashënuesi i parë afrikane e Serie A dhe Lojtari Afrikan i Vitit.