Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR) me 250 monitorues afatshkurtër do të monitorojë zgjedhjet e 12 prillit në Maqedoni. Poashtu do të jenë prezentë edhe përfaqësues të këshillave parlamentare të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe monitoruesit afatgjatë, shkruan Gazeta Lajm.
“Monitoruesit tanë do të përcjellin çdo fazë të zgjedhjeve, para, gjatë, e shkurtimisht edhe pas përfundimit të zgjedhjeve”, deklaroi në pres konferencën e sotme, Tana De Zulueta, shefe e Misionit mbikëqyrës për zgjedhje të ODIHR-së. Ajo paralajmëroi se monitoruesit e OSBE-së do ta mbikëqyrin edhe fushatën, do të vlerësojnë legjislaturën, zbatimin e zgjedhjeve me të gjithë përbërësit, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre, sektorin civil, por edhe gjyqësorin që është segment i rëndësishëm në procesin e ankesave lidhur me zgjedhjet.
Zulueta paralajmëroi edhe monitorim të mediumeve si aktivitet që zbatohet rregullisht dhe që përfshin mediumet e shtypura, mediumet online dhe televizionet.
Këto janë zgjedhjet e 19-ta që i monitoron OSBE në Maqedoni. Gjatë monitorimit do të përgatitet raport periodik, kurse një ditë pas zgjedhjeve OSBE do të dalë edhe me qëndrime dhe konkluza preliminare.
Lajme OSBE do të monitorojë zgjedhjet e 12 prillit me 250 vëzhgues