Opozita shqiptare sot do të formojë grup parlamentar

Blloku opozitar shqiptar i njohur ndryshe si Lidhja Evropiane për Ndryshim që përbëhet nga tre partitë: Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, sot pritet të formalizojë bashkëpunimin edhe në shtëpinë ligjvënëse duke formuar grup parlamentar, transmeton Portalb.mk.

Këtë lajm e ka konfirmuar për Alsat, kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami i cili ka thënë se të hënën do të publikohet grupi parlamentar në Kuvend.

“Presim që me këtë të ecim edhe një hap më shumë dhe më përpara drejt homogjenizimit të opozitës, drejt faktorizimit të votës opozitare, drejt ngritjes dhe përforcimit të zërit opozitar në Kuvend, me çka vlerësojmë që votuesi opozitar do të jetë më i sigurt në votën e tij për ndryshim dhe rrotacion politik”, deklaroi Kasami.

Lidhja Evropiane për Ndryshim ka shtatë deputetë, tre nga Alternativa, tre nga grupi i Izet Mexhitit dhe një nga Lëvizja Besa.

Këto tre parti kanë paralajmëruar se do të shkojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garojë e vetme në zgjedhje.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet

Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve. LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.