Opozita po ia nxjerr “Serbinë e fortë” para hundëve Albin Kurtit: “Nëse nuk ndodhë kjo, Kosova e ka të garantuar fiaskon!”

Publicisti shqiptar nga Maqedonia, Emin Azemi ka kritikuar opozitën në Kosovë, që sipas tij, po ia nxjerrin “Serbinë e fortë” Albin Kurtit para hundëve.

Ai thotë se, po i jepet shumë peshë Serbisë në dialog nga disa njerëz në Kosovë, e këtu ai e ka fjalën për opozitën.

Sipas tij, kjo është mënyrë e gabuar e opozitës dhe ka rrezik të ndikojë tek disa shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai në një postim në Facebook shkruan se opozita dhe ata që mendojnë ndryshe duhet të kundërshtojnë Kurtin për tema të brendshme, kurse kur është në pyetje Serbia duhet të jenë bashkë me të.

Reagimi i plotë:

Pesha që i jepet Serbisë në dialog nga ana e disa njerëzve në Kosovë, duke e faktorizuar atë në përmasa joreale, ka futur në dilemë edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Kosova nga një shtet i njohur ndërkombëtarisht prej më shumë se 100 shteteve në botë, po rrëshqet në një “shtet të papërfunduar” vetëm për faktin se nuk është njohur nga Serbia (!)

Kjo mënyrë tejet e gabuar e të menduarit, ka rrezik të ndikojë tek shumë shtete që ta rishqyrtojnë njohjen e shtetit të Kosovës.

Çmimi i njohjes së Kosovës nga Serbia nuk duhet të jetë e barasvlershme me cenimin e territorit të saj, madje edhe duke e shndërruar atë nga një “shtet të papërfunduar” në një “shtet jofunksional”.

Ky diskurs i gabuar publik po shërben edhe si “ushqim i thatë” për shumë media ndërkombëtare, të cilat po i marrin të gatshme këto mendime të patretura, por shumë të dëmshme, nga Prishtina.

“Zgjidhja më e mundshme do të përfshijë një autonomi dhe aranzhmane të ndarjes së pushtetit, e ngjashme me Irlandën e Veriut, për zonat e dominuara serbe në këmbim të njohjes së shtetësisë së Kosovës”, shkruante ditë më parë prestigjiozja Financial Time.

Karshillëku që i bëhet kryeministrit Kurti, duke ia nxjerrë “Serbinë e fortë” si gogol para hundëve, nuk mendoj se është kauza e vërtetë opozitare që duhet ndjekur edhe më tej.

Opozita dhe ata që mendojnë ndryshe duhet të kundërshtojnë Kurtin për tema të brendshme, kurse kur është në pyetje Serbia duhet të jenë bashkë me të.

Nëse nuk ndodhë kjo, Kosova e ka të garantuar fiaskon!