Fundi i nacionalizmit apo fundi i kleptokracisë?!

Ashtu siç parashikohet rikonfigurimi i Ballkanit për të tjerët, le të gjendet zgjidhje edhe për shqiptarët në RMV! Por, në asnjë mënyrë nuk është e hijshme që shqiptarëve tanë t’u thuhet të merren me agjenda mjedisore, derisa serbët merren me vendosjen e sa më shumë kunjave nëpër Kosovë e Bosnjë. Këto janë standarde të dyfishta, të cilat ne nuk duhet t’i njohim dhe në asnjë mënyrë të mos i pranojmë. Mund të gjendet ndonjë politikan në fund të karrierës, që për të pasur pleqëri të qetë mund të pranojë role të tilla komike, por shqiptari i vitit 2021 nuk ka pse të gëlltisë agjenda të tilla.

 

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

 

Kur ishim nxënës në shkollë fillore, na thuhej se zhvillimi i shoqërisë njerëzore ka nisur nga shoqëria primitive, përmes asaj skllavopronare, feudale e kapitaliste, për të ardhur te shoqëria socialiste, që shfaqej së pari përmes socializmit utopik të Sen Simonit, për të rezultuar me socializmin shkencor të Marksit e Engelsit, e që fund të vijonte me shoqërinë e përsosur komuniste. Pra, fundi i historisë, në atë kohë, duhej të ishte komunizmi.

Kur isha student, u botua libri i Francis Fukuyama-s “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, që shpallte se demokracia liberale është gjetja e fundit e njeriut dhe se aty do të ishte fundi i historisë.

Para ca ditësh, në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ardhur në skenën politike pas luftës së vitit 2001, ku ai ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), shpalli se në këtë shtet ka përfunduar agjenda etnike e shqiptarëve dhe se tash e tutje ai dhe partia e tij do të angazhohen për çështje mjedisore. Për t’ia mbajtur ison atij ose për ta bërë bold e caps lock atë që e tha Ahmeti, të nesërmen pas asaj dite doli kryeministri Zaev, aleat i Ahmetit në qeveri, dhe tha se “BDI ka përfunduar me me agjendën etnike. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka më maqedonas, shqiptarë, turq e serbë. Të gjithë ne jemi qytetarë”.

Prirja për ta shpallë fundin e historisë është një mani e hershme, madje që nga antikiteti grek e romak, ndërsa të majtit, në njërën anë, dhe liberalët, në anën tjetër, vazhdojnë të besojnë seriozisht se ata janë misionarët që duhet ta bëjnë këtë. Madje, kjo merr përmasa serioze kur këto ideologji e kanë pushtetin. Atëherë kalojnë në diktaturë, e cila e përdor edhe forcën për “t’i bindur” të gjithë qytetarët se ata janë fjala e fundit e historisë. Derisa e lexoni këtë fjali, sigurisht ju kujtohen plot shembuj që nga Koreja e Veriut, Shqipëria enveriste, e deri në Kubë.

Dhe, ta shpallë fundin e historisë një shtet i suksesshëm e i fuqishëm, kjo edhe mund të pranohet disi, por ta shpall fundin e historisë dikush që ka bërë pak, për të mos thënë aspak, për kombin e tij, kjo është skandaloze, për të mos përdorur terma më të rëndë etikë.

 

Shqiptarët si (inter)nacionalistë

 

Në kohën kur kroatët e serbët po e forcojnë shtetin e tyre kombëtar, në kohën që Mali i Zi po shpik komb të ri me gjuhë të re, në kohën që Bullgaria për arsye tipike nacionaliste e pengon integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, të vetmit që vullnetarisht heqin dorë nga nacionalizmi janë shqiptarët dhe boshnjakët. Për të dytët nuk do të ndalemi në këtë tekst, sepse nuk janë në fokus të këtij artikulli dhe ata meritojnë trajtim të veçantë, por shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që nacionalizmin e kanë shpall ves dhe bile ndjehen keq kur duhet të deklarohen si shqiptarë nacionalistë. Duke mos e zgjeruar analizën për shqiptarët në Shqipëri, madje as për ata në Kosovë, pa asnjë dilemë mund të them se kjo është bërë trend veçmas në Maqedoninë e Veriut. Nëse thua se je “nacionalist shqiptar”, këtu gati sa nuk të pyesin “Ku e ke bishtin?”, sepse, në perceptimin publik, këtu është ndërtuar imazhi se nacionalistët janë qenie të paevoluara mjaftueshëm ose, kur ato janë organizata politike, janë parti “anakronike”, që “nuk janë në hap me zhvillimet bashkëkohore”.

Dhe, kur këtë e thotë dikush që ka ardhur në skenën politike me luftë për Shqipëri Etnike, kjo bëhet vulë. Ne nuk do të donim të gjykojmë se a e bën ai këtë për shkak të detyrimit të dosjeve që mund t’i ketë lart e poshtë brenda dhe jashtë vendit, sepse është rikthyer në rininë e tij internacionaliste apo, meazallah, se është bindur në pleqëri se nacionalizmi është ves, por e vërteta e të vërtetave është se – duke qenë parti e dalë nga lufta dhe me kaq stazh të gjatë në pushtet – kështu u ka dhënë një goditje të madhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe agjendës së tyre kombëtare në këtë shtet.

Që të mos lëmë dyshim se këto konstatime i kemi vetëm për shkak të oponencës, më duhet të shpjegoj se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë së paku 25%, pra 1/4 e shtetit (edhe pse unë besoj se jemi mbi 30%), ndërsa trajtimin juridiko-kushtetues e kanë njësoj si pakicat kombëtare me 2-3% (si turqit, romët, serbët…). Për shkak të projektit nacionalist maqedonas, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet shtet monoetnik i kombit maqedonas dhe kjo reflektohet në preambulën e shtetit (bartës i sovranitetit është vetëm kombi maqedonas), në emrin e shtetit (maqedonas – Maqedoni), në simbolet e shtetit (himni dhe flamuri janë ekskluzivisht maqedonas), në kodin e vetëm të komunikimit (gjuhë zyrtare shtetërore si kategori kushtetuese është vetëm maqedonishtja), si dhe në përcaktimin e interesave strategjike të shtetit, që lidhen vetëm me kombin maqedonas (kujtojmë se maqedonasit, për shkak të nacionalizmit të tyre, për vite të tëra nuk pranuan ta ndryshojnë emrin e shtetit e të futeshim në NATO dhe sot, po ashtu për shkak tw nacionalizmit të tyre, nuk i pranojnë kushtet bullgare, në mënyrë që të fillojmë me bisedimet për BE). E që të duket se megjithatë ka njëfarë lirie më shumë për shqiptarët, me Marrëveshjen e Ohrit, është krijuar mundësia që shqipja të përdoret në disa institucione publike, që shqiptarët të përfshihen në administratë, polici e ushtri, si dhe përmes një ligji të tërthortë të arsimit sipëror, të mund të hapen fakultete edhe në gjuhën shqipe.

Sa për krahasim, serbët në Kosovë janë pesë ose gjashtë herë më pak se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërsa janë të barabartë me shqiptarët e Kosovës në bartjen e sovranitetit (sovraniteti u takon të gjithë “qytetarëve” dhe jo 90%-shit shqiptar), gjuha serbe përmendet në kushtetutë si gjuhë e dytë zyrtare dhe çdo institucion shtetëror e lokal në Kosovë e ka për detyrim ta përdor serbishten, kurse arsimi në gjuhën serbe në të gjitha nivelet është i mundësuar me ligj. Ndërkaq serbët përsëri nuk janë të kënaqur. Edhe pas gjithë kësaj ata kërkojnë një njësi me pushtet ekzekutiv, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (siç e quante Vetëvendosja, “Zajednicë”). Pasqyra është kjo.

E derisa politikanët serbë shtyhen për më shumë përfitime në Kosovë (edhe pse Republikën Serbe në Bosnjë sa nuk e kanë bashkuar me Serbinë), në Maqedoninë e Veriut – me pesë ose gjashtëfish më pak të drejta dhe mundësi – synohet të mbyllet çështja etnike shqiptare. Është interesant se diplomati dhe publicisti Abdi Baleta këtë anomali e ka vërejtur qysh më 2013. Në një shkrim, që e shkruante para tetë vjetëve, ai do të thoshte: Ajo që sot trumbetohet si integrim shqiptaro-maqedonas është vetëm riciklim i skemës së dështuar të “bashkim-vllaznimit” komunist-avnojist, por me ambalazhim të ri euro-demokratik.” (“Shenja” nr. 24, prill 2013)

 

Nacionalizmi nuk ka përfunduar

 

Ndonëse të majtëve dhe liberalëve ua ka ëndja që nacionalizmin ta shpallin si të dalë mode, të djathtët dhe konservatorët në gjithë botën nuk mendojnë ashtu. Fjala bie, ish Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në fjalimin që e mbajti para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 2019, ndër të tjera, tha: “Këshilloj çdo vend të pranishëm (këtu) që të bëjë njësoj si ne! Nëse doni lirinë, bëhuni krenarë për vendin Tuaj! Nëse doni demokraci, merreni në dorë sovranitetin Tuaj! Nëse doni paqen, duajeni kombin Tuaj! Udhëheqësit e mençur gjithmonë e vendosin të parën, të mirën për njerëzit e tyre dhe për vendin e tyre! E ardhmja nuk u përket globalistëve. E ardhmja u përket patriotëve! E ardhmja u përket vendeve sovrane dhe të pavarura, që i mbrojnë qytetarët e tyre, që i respektojnë fqinjët dhe që i nderojnë diferencat që e bëjnë çdo vend special dhe unik”. (“Shenja” nr. 102, tetor 2019). Kur këtë thirrje e bën shteti më i fuqishëm në botë, është për t’u habitur si i shkon në mendje shqiptarit tonë me kurrfarë gjendjeje që të heqë dorë vullnetarisht nga kombi dhe nga kauza kombëtariste.

Pavarësisht asaj që ndodhi në SHBA me zgjedhjet e fundit, slogani “America First!”, i përdorur fillimisht nga ish Presidenti Willson dhe i rikthyer nga ish Presidenti Trump pas një shekulli, ishte mesazhi më kuptimplotë nacionalist, prej të cilit do të duhej të marrin mësim edhe shqiptarët ose, sidomos, shqiptarët. Derisa serbët e kanë përmbushur ose janë kah fundi në përmbushjen e misionit të tyre nacionalist, derisa këtë e kanë bërë kroatët, po e bëjnë malazezët dhe, bile maqedonasit, diçka që bullgarët e kanë kristalizuar qëmoti, kombi i vetëm në Ballkan (pa i llogaritur boshnjakët, që kanë probleme më të thella identitare) që nuk e ka përfunduar projektin e tij nacionalist për barazinë e kombit me shtetin janë shqiptarët. Nëse u referohemi etërve të nacionalizmit, Sami Frashëri e Pashko Vasa, si dhe ideologëve të Lidhjes së Prizrenit, por edhe veprimtarëve të kohës sonë, si Adem Demaçi e Ukshin Hoti, do ta kuptojmë se shqiptarët janë ende larg nga përmbushja e postulateve të tyre nacionaliste. E në vend që për këtë gjendje të ndjehen fajtorë, ata ndjehen inferiorë. Kjo i bie se një maqedonas e ndalon integrimin e krejt shtetit në NATO dhe në BE, sepse atij i cenohet një element i identitetit të tij kombëtar, ndërsa një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, që – si e thamë më sipër – nuk i gëzon as të drejtat e 5% serbëve të Kosovës, e shpall të mbyllur temën e nacionalizmit dhe i gjykon si trivialë të gjithë nacionalistët e tjerë shqiptarë.

Që të mos lëmë hapësirë për paragjykime, ne shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të ngurrojmë të themi hapur se – ashtu si secili komb tjetër në Ballkan dhe në botë – që dëshiron ta bëjë barazimin e kombit me shtetin, këtë e synojmë edhe ne shqiptarët. Vetëm ashtu kuptimësohet organizimi ynë kombëtar, madje edhe qenia jonë politike. Kjo nuk është as mëkat, as inicim i separatizmit. Derisa maqedonasit kërkojnë maqedonas nëpër Shqipëri, Kosovë, Bullgari e Greqi, gjë që nuk ka kuptim tjetër pos për të dëshmuar se ku arrijnë kufijtë e Maqedonisë etnike, pse të jetë mëkat të thuhet se kufijtë tanë etnikë janë nga Durrësi deri në Manastir, Veles, Prilep e Kumanovë? Se a realizohet kjo dhe si realizohet (si ndarje, si integrim në BE, si shengen ballkanik apo si shengen shqiptar), kjo është një temë tjetër, porse të mos e themi fare, kjo është vetëcensurë joracionale. Fundja, vetëvendosja është një e drejtë që u garantohet të gjithë popujve edhe sipas dokumenteve të OKB-së. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, sado që nga shumica synohet të paraqiten si “minoritet” ose “si pjesë e popullit”, ata janë popull, sepse ata janë së paku çereku i shtetit.

E pasi të deklarohemi qartë e saktë për projektin tonë nacionalist, tema e dytë është se a ka mundësi që projekti ynë nacionalist të konvergjojë me projektin nacionalist maqedonas? A ka mundësi që edhe ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe Maqedonia e Veriut të mos ndahet? Dhe, në këtë aspekt bota ka prodhuar plot shembuj, që mund të na shërbejnë. Konfederatat, federatat territoriale e federatat e popujve, bashkësitë e komunave, statusi special i territoreve të caktuara, e deri te ridefinimi i shtetit si tërësisht qytetar, sipas modelit të Kosovës, janë ekzemplarë që mund të na sjellin te një zgjidhje pa pasoja konfliktualiteti. Por, ama të mos kërkojmë zgjidhje, të themi se nuk ka zgjidhje ose të mos e duam zgjidhjen, kjo është e pafalshme.

 

Dhe, ndërkombëtarët…

 

Kur shkruan kështu në gjuhën shqipe ose kur kështu u flet shqiptarëve, fjalia e parë që do ta thonë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është “Nuk na lejojnë ndërkombëtarët”. Ky, si duket, mund të jetë edhe shpjegimi se pse Ali Ahmeti nga agjenda puro-nacionaliste shqiptare kalon në agjendë mjedisore zero-nacionaliste joshqiptare. Në të vërtetë, derisa këto ditë nëpër kancelaritë europiane qarkullon non-paper-i slloven ose, së paku, qarkullon muhabeti për të, që presupozon një rikonfigurim të Ballkanit në vija etnike, është për t’u habitur që shqiptarët vazhdojnë të mendojnë se ndërkombëtarët janë kundër projektit të tyre nacionalist. As amerikanët, as europianët nuk kanë arsye të jenë kundër nacionalizmit shqiptar derisa në Ballkan tolerohet nacionalizmi serb, bullgar e kroat. Nëse serbëve të Kosovës, me rreth 5% popullsi, u lejohet të kërkojnë status special juridiko-kushtetues, pse ndërkombëtarët do t’ua ndalonin këtë shqiptarëve në RMV? Ne e dimë se ndërkombëtarët nuk duan konflikte të pamenaxhueshme, por çështja e problemit shqiptar në Maqedoninë e Veriut mundëson disa opsione jokonfliktuoze, por krejt racionale. Ata mund të jenë kundër ndarjes së RMV-së, por nuk ka arsye të jenë kundër barazisë së plotë vertikale dhe horizontale shqiptaro-maqedonase në këtë shtet.

E nëse dikush akoma dëshiron që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut t’i bëjë kurban që Kosova ta përfundojë statusin ose të bashkohet me Shqipërinë, e ka fort gabim, sepse shqiptarët në RMV nuk janë as mall për kusuritje, as letër për t’u djegur. Edhe ata kanë të drejtë ta kenë agjendën e tyre kombëtare. Ashtu siç parashikohet rikonfigurimi i Ballkanit për të tjerët, le të gjendet zgjidhje edhe për shqiptarët në RMV! Por, në asnjë mënyrë nuk është e hijshme që shqiptarëve tanë t’u thuhet të merren me agjenda mjedisore, derisa serbët merren me vendosjen e sa më shumë kunjave nëpër Kosovë e Bosnjë. Këto janë standarde të dyfishta, të cilat ne nuk duhet t’i njohim dhe në asnjë mënyrë të mos i pranojmë. Mund të gjendet ndonjë politikan në fund të karrierës, që për të pasur pleqëri të qetë mund të pranojë role të tilla komike, por shqiptari i vitit 2021 nuk ka pse të gëlltisë agjenda të tilla.

 

Fundi i kleptokracisë dhe agimi i nacionalizmit progresiv

 

Jemi në vitin 2021 dhe sivjet bëhen 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që erdhi si pasojë e luftës së vitit 2001 mes UÇK-së dhe forcave policore-ushtarake maqedonase. Pavarësisht dakordimit se ajo marrëveshje solli paqen dhe krijoi një kornizë të mirë për ta ndërtuar shtetin koheziv, rezultati i vitit 2021 lë shumë për të dëshiruar. Politikani që gjatë këtyre 20 viteve ka qenë në pushtet e që sot e shpall të mbyllur agjendën etnike shqiptare në RMV, është simboli i kleptokratit, që gjatë gjithë kësaj kohe ka qeverisur me korrupsion, krim të organizuar dhe abuzim me pushtetin. Dhe, kjo nuk është shfaqur vetëm në pushtetin qendror, por edhe në atë lokal. Komunat shqiptare, që tashmë 15 vjet qeverisen nga BDI-ja, akoma temë qendrore e kanë ujin, asfaltin, kanalizimin dhe ndriçimin. Në anën tjetër, në mesin e 100 ndërmarrjeve më të suksesshme gati asnjë nuk është shqiptare. Kjo mund ta shpjegojë edhe arsyen se pse që nga viti 2002 e këndej më shumë se 300 mijë shqiptarë të rinj janë shpërngulur nga ky shtet, një eksod ky me përmasa dhe pasoja historike. Dikush që ka rezultate të këtilla jo vetëm agjendë mjedisore, por edhe agjendë fashiste do të pranonte vetëm që të fitojë një pleqëri të qetë dhe të ikë nga skena.

Megjithatë, ikja e tij nga skena nuk e përfundon edhe dramën. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht dalldive e manive të tilla, në kohën kur Ballkani po rikonfigurohet mbase për 100-vjetëshin e ardhshëm, duhet ta thonë fjalën e tyre pa ndrojtje dhe të kërkojnë që tema e statusit të tyre të jetë pjesë e tavolinës, por jo mall për kusuritje.

Këtu mund të jetë fundi i kleptokracisë, por jo edhe i nacionalizmit progresiv shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Siç e themi ne këndej shpesh, “Lidhja është gjallë”.