Operacioni mbarëkombëtar antidrogë në Shqipëri, reagon policia: Janë shkatërruar 23 grupe kriminale

Drejtor i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me megaoperacionin me rreth 200 të arrestuar në të gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e tij ai është shprehur se në kuadër të këtij megaoperacioni është bërë i mundur arrestimi i 218 personave dhe janë shpallur në kërkim 82 të tjerë, gjithashtu sipas tij në kuadër të këtyre kontrolleve janë arrestuar edhe 19 qytetarë të tjerë.

“Janë ekzekutuar 218 masa sigurie, janë shpallur në kërkim 82 në kërkim janë arrestuar edhe 19 shtetas të tjerë gjatë këtij operacioni. janë pjesë e 23 grupeve kriminale, janë sekuestruar edhe heroinë, kanabis sativa, automjete të ndryshme, vlera të ndryshme monetare dhe aksesore të ndryshëm, të dhënat konkrete në lidhje me këtë do të jepen më vonë pasi vijon akoma puna në këtë drejtim. Në bashkëpunim të ngushtë me 12 drejtorive të policisë është bërë i mundur mbyllje e kontrollit të këtyre”, tha Rrumbullaku.

“Nga ky megaoperacion është bërë i mundur shkatërrimi i 23 grupeve kriminale në Tiranë, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Hetime të tilla tregojnë se kur ka vullnet rezultatet janë në favor të qytetarëve dhe në dëm të krimit, edhe në këtë megaoperacion vlen të theksohet shkalla e lartë e sigurisë dhe e rrezikshmërisë”, ka thënë Rrumbullaku.

Gjithashtu sipas tij janë drejt përfundimit edhe operacione të tjera në lidhje me këtë fenomen.

“Këtë 8 mujor janë sekuestruar 800 kg kanabis, një pjesë e përpunuar në formë çokollate. Janë sekuestruar 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 15 kg ekstazi. Në kuadër të besimit të informacioneve të marra, janë finalizuar 116 operacione. Për këto hetime dhe goditje janë arrestuar ndaluar dhe proceduar në gjendje të lirë 1561 shtetas për shitje dhe prodhim të lëndës narkotike. Krahasuar sasive të mëdha të drogërave të forta, janë sekuestruar mijëra droga kokainë. Gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokainë heroinë, metadok, opium dhe sasi lënde të tjera narkotike”, tha ai.