Open Balkan/ Mali i Zi kundër nismës Rama Vuçiç

Ndryshe nga sa pretendon kryeministri Rama që e barazon Tregun e Përbashkët Rajonal, një nismë në kuadër të Procesit të Berlinit, me Ballkanin e hapur qeveria e Malit të zi është shprehur bapur se është për të parën dhe jo për të dytën.

Kryenegociatorja e Malit të Zi, Zorka Kordić, tha për për Vijesti se Tregu i Përbashkët Rajonal, që organizohet nën ombrellën e BE, është më i përshtatshëm për vendin sesa nisma Ballkanit të Hapur e nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Mali i Zi është vendi më i përparuar në rajon për procesin e integrimit në BE prandaj Qeveria mbështet zbatimin e iniciativave rajonale ekskluzivisht si një instrument për një pranim më të shpejtë në BE, tha Kordić.

“Prandaj, ne përqëndrohemi kryesisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor,” theksoi ajo.

Kordić deklaroi se Tregu i Përbashkët Rajonal ishte më gjithëpërfshirës sesa Ballkani i Hapur, sepse përveç katër lirive të lëvizjes, ai trajton edhe infrastrukturën dixhitale, inovacionin dhe një politikë të vetme investimi sipas standardeve të BE -së.

Pak ditë më parë kur BE inkurajoi përparimin gjithëpërfshirës në projektin për Tregun e Përbashkët Rajonal, kryeministri Rama e paraqiti këtë si një përkrahje për nismën e tij dhe të Vuçiçit. Por në Ballkanin e hapur ende nuk kanë aderuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.

Së fundi me anë të një deklarate për Deutsche Welle qeveria gjermane lë të nënkuptojë se prioriteti i saj është realizimi i marrëveshjeve të dala nga forumi gjithëpërfshirës i Procesit të Berlinit.

Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” nënshkrimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe kërkon që marrëveshjet të nënshkruhen deri më 6 tetor. Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”

©Lapsi.al