OKB-ja dërgon 90 ton ndihma në Venezuelë për COVID-19

Një avion me 90 ton ndihma mjekësore të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbërriti në Venezuelë si ndihmë për të luftuar koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të OKB-së, dërgesa mes tjerash përfshin 28.000 pajisje mbrojtëse personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor të linjës së parë, përqendrues të oksigjenit, shtretër pediatrikë, produkte për kontrollin e cilësisë së ujit dhe komplete të higjenës.

“Këto furnizime për fëmijë, gra dhe familje fillimisht do të mbështesin 14 spitale të përcaktuara për reagim ndaj COVID-19 si dhe 50 klinika dhe qendrat për zhvillimin e fëmijëve”, tha Herve Ludovic de Lys, përfaqësuesi i UNICEF-it në Venezuelë.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro konfirmoi arritjen e ndihmës dhe falënderoi organizatat ndërkombëtare dhe popujt “vëllazëror” të botës përmes një postimi në rrjetet sociale.

Dërgesa u financua nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë Fondin Qendror të OKB-së për Reagimin ndaj Emergjencave (CERF) dhe fonde nga agjencitë e OKB-së.

Edhe pse raportimet për rastet e konfirmuara dhe vdekjet nga koronavirusi në Venezuelë nuk janë aq alarmante sa pjesa tjetër e botës, vendi ka qenë në rënie të madhe pas uljes së çmimit të naftës së papërpunuar, që është artikulli kryesor që vendi eksporton.

Për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe krizës politike midis Maduros dhe liderit të opozitës Juan Guaido, që ka filluar nga viti 2019, tashmë pothuajse 5 milionë qytetarë të Venezuelës janë larguar nga atdheu i tyre.

Vendi ka qenë nën sanksione të forta ekonomike dhe diplomatike nga SHBA-të për më shumë se një vit pasi Washingtoni njohu Guaidon si udhëheqës legjitim të vendit në vend të presidentit të zgjedhur Maduro.

Sipas raportit të Universitetit amerikan “Johns Hopkins”, Venezuela ka 167 raste të koronavirusit dhe nëntë vdekje, ndërsa 65 pacientë janë shëruar.