Bomba e Kujtim Shalës, tregon diçka të padëgjuar: Më shumë jam respektuar te Dinamo, se sa te Prishtina!

Ai ka mbetur në histori të ish-ligës së parë jugosllave si shqiptari i parë, i cili ka shënuar pesë gola në një ndeshje kampionale. Kjo ka ndodhur në takimin kundër Sarajevës në sezonin 1987/88 (rezultati 5:2).

Ndërsa, për Dinamo Zagrebin ka shënuar gola në çdo derbi të asaj kohe (në 53 ndeshje shënoi 19 gola).

Për shkak të golave të rëndësishëm që shënonte dhe mënyrën e veçant të festimeve, ai kishte hyrë në zemrat e dy tifozërive.
Në një rrëfim ekskluziv për faqen e gazetarit Reshat Ibrahimi, ai për herë të parë zbulon disa detaje nga karriera e tij e madhe.

55-vjecari karrierën e kishte nisur te Liria e Prizrenit, ndërsa si një talent i madh në moshën 18-vjeçare ishte transferuar në Partizan të Beogradit (në vitin 1983).

Megjithatë, vetëm pas një viti Shala me vet dëshirë kishte kërkuar që të vazhdoj karrierën në KF Prishtina, për të cilët luajti nga sezoni 1984-1988.

Ai kishte menduar se te skuadra e Prishtinës do të realizojë ëndrrat e tij, por nuk i kishte dal ashtu siç kishte kujtuar Kujtimi.

“Unë kam pasur një karierë shumë të suksesshme në futboll, gjatë së cilës perjetova gëzime dhe emocione të veçanta. Dua të përmendi kalimin tim nga Liria e Prizrenit në Partizan të Begradit. Isha vetëm 18 vjeç. Pas një viti në Beograd me këmbëngulësinë time u ktheva në Prishtinë.

U ktheva, sepse kisha iluzione se do të prosperoj tek shqiptarët e mi, por për fat të keq përjetova më shumë ferr se sa parajsë!!!! Por, megjithatë pata shumë tifozë, të cilët më adhuronin. Në këtë periudhë katërvjeçare hyra në histori si shqiptari i parë që shënova pesë gola në një ndeshje.

Ishte kundër Sarajevës në sezonin 1987/88. Dhe, deri në lojën e fundit kampionale të ish-Jugosllavisë isha golashënues i parë me 15 gola, por në ndeshjen e fundit nuk e pata përkrahjen e bashkëlojtarëve që ta mbajë këtë epitet, dhe Dushko Milinkoviq i Rad-it të Beogradit më tejkaloi pasi shënoi tre gola në ndeshjen e fundit. Në fund të kampionatit përfundova i dyti”, kujton Kujtim Shala.

Ai thotë se atë që s’e arriti në Prishtinë, Zoti ia solli të realizojë me Dinamo Zagrebin dhe Kroacinë. Në Dinamo shkoi në vitin 1989 dhe luajti për dy vite.

“Në Dinamo Zagreb arrita kulminacionin e karrierës. Atje të gjithë bashkëlojtarët, trajneri, publiku më pranuan shumë mirë. E mua kjo më motivoi që të jap maksimumin si futbollist! U ktheva prej APJ-së e të nesërmen ishte ndeshja me Hajdukun në ‘Maksimir’ e mua i ndjeri Josip Kuzhe më inkuadroi menjëherë në 11-ën e parë. Për besimin e dhënë u ndjeva shumë i respektuar. Shënova gol dhe u shpalla lojtar i ndeshjes, u bëra idhull i tifozëve të BBB-së. Në Dinamo çdo ndeshje derbi shënoja gola, përkrah me Shukerin e Bobanin.

Momenti që më bën edhe sot të ndihem krenar ishte kur pranova të luaj për Kroacinë në ndeshjen historike me SHBA-në. Edhe pse ende ishim në Jugosllavi, rrezikuam çdo gjë për të realizuar atë lojë, pa i menduar pasojat.

Faleminderit prej BBB-ve e kroatëve që më çmojnë deri në pedestal ……! Kam shum momente, por dua ta shkruaj një auto biografi”, kujton me nostalgji Shala.

Nga Dinamo, Kujtimi u transferua në Rennes të Francës (1991–1992), pastaj në Stuttgarder Kickers (1992–1993), Chemnitzer FC (1993-1995), Fortuna Düsseldorf (1995-1996), VfB Leipzig (1996-1998) dhe VfR Mannheim (1998-2000) ku edhe e përfundoi karrierën e pasur.

Kujtim Shala, me familjen e tij (bashkëshorten, dy djem dhe dy vajza), jeton dhe vepron në Mannheim të Gjermanisë.