OKB: Grupet terroriste mund të shfrytëzojnë pandeminë COVID-19

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, paralajmëroi kundër pasigurive të krijuara nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se “grupet terroriste dhe radikale mund ta shfrytëzojnë pandeminë”.

Duke folur në një konferencë online për media, Guterres riafirmoi thirrjet e tij për armëpushim global për shkak të pandemisë.

Ai theksoi se zotimet për armëpushim në zonat e luftës si Siria, Jemeni, Libia, Mianmari, Ukraina, Sudani dhe Kameruni, nuk janë shndërruar në praktikë, dhe shtoi se lufta e vetme në botë duhet të zhvillohet kundër armikut të përbashkët, COVID-19.

“Grupet terroriste dhe radikale mund ta shfrytëzojnë pandeminë”, deklaroi shefi i OKB-së.

Guterres paralajmëroi se koronavirusi, krahas paqes dhe sigurisë, virusi “kërcënon edhe sigurinë ushqimore”.

“Të gjithë zinxhirët e furnizimit, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe pajisjet e tjera mjekësore, duhet të vazhdojnë, veçanërisht për zonat më të varfëra dhe të prekshme”, tha ai.

“Më e keqja akoma nuk ka ardhur dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për unitetin dhe paqen, për të cilat bota jonë ka më së shumti nevojë”, shtoi Guterres.