Të mos miratohet Propozim-ligji për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese. Këtë e kërkuan edhe sot organizatat e shoqërisë civile gjatë debatit publik në Kuvend. Kjo për shkak, se sipas tyre propozim-ligji i fshin OJQ-të si përfitues të drejtpërdretjë nga mjetet e lojërave të fatit. Ata kërkojnë tërheqjen ose ndryshimin e tekstit të propozuar, me qëllim që organizatat qytetare, organizatat kombëtare të personave me aftësi të kufizuara dhe Kryqi i Kuq të mbeten të njohura qartë në ligj si organizata që mund të marrin dhe zbatojnë mjete të destinuara për kategoritë e cenueshme, raporton Portalb.mk.
Sipas përfaqësuesve të sektorit civil, me ndryshimet e propozuara hapet rreziku që mjetet e destinuara për kategoritë e cenueshme të shpërndahen pa kritere të qarta, transparente dhe të përgjegjshme, pa garanci se ato do të arrijnë te organizatat që kanë përvojë, ekspertizë, shërbime të licencuara dhe punë të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Përfaqësuesja e Lidhjes për Mbrojtje nga Diskriminimi, Maja Atanasova, tha se bashkë me organizata të tjera, përfshirë Kryqin e Kuq dhe organizatat të tjera të cilat merren me mbrojtjen nga dhuna, kërkojnë që sektori civil të mos përjashtohet nga përfitimet e parapara me ligj nga lojërat e fatit.
Sipas saj, ndryshimet e propozuara krijojnë paqartësi dhe dyshime lidhur me mënyrën e financimit të organizatave civile.
“Fshirja e OJQ-ve si përfitues të drejtpërdrejt nga mjetet e lojërave të fatit, do të ulë besueshmërinë dhe transaprencën e financimit dhe mjeteve që ndahen nga lojërat e fatit”, tha Atanasova.
Shqetësime të ngjashme shprehu edhe Valentina Veliçkovska nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Ajo kritikoi mënyrën e përgatitjes së ligjit, duke theksuar se propozimi nuk ishte vendosur për konsultim publik në sistemin ENER.
Sipas saj, organizatat civile duhet të njihen qartë si përfituese të drejtpërdrejta të mjeteve që sigurohen nga lojërat e fatit, përmes Nenit 18 të ligjit.
“Nuk duhet të kalojë dhe nuk duhet t’ju hiqet OJQ-ve mjetet më të mëdha të përfitimeve”, nënvizoi Veliçkovska.
Edhe Ana Avramovska reagoi ndaj propozimit, duke theksuar se organizatat që për më shumë se një dekadë kanë përfituar mjete nga ky fond, veçanërisht ato që punojnë me grupet e margjinalizuara, rrezikojnë të mbeten pa mbështetje financiare.
Ajo vlerësoi se përjashtimi i OJQ-ve nga lista e përfituesve do të përbënte një goditje të rëndë për sektorin civil.
Ndërkaq, përfaqësuesi i koalicionit “Menuvame”, Suaret Alishinov, kërkoi që ligji të rikthehet në fazën paraprake dhe të formohet komision ku do të përfshihen të gjitha palët e interesuara, me qëllim që të gjendet një zgjidhje që do të adresojë vërejtjet e ngritura.
“Kishte qenë më e udhës të bëhet komision i ri dhe të përfshihen të gjithë palët, pa përjashtuar askënd. Me këtë do të anashkalohen pakënaqësitë dhe do të punojmë që në fund të gjithë të ndahen të kënaqur nga ligji i ri. Me të vetmin qëllim që të mos humben as vendet e punës, por as edhe financimet e OJQ-ve”, u shpreh Alishinov.
Gjatë debatit pati reagime të ashpra edhe nga përfaqësues të industrisë së lojërave të fatit dhe të punësuar në këtë sektor. Ata kundërshtuan kufizimet e propozuara, duke paralajmëruar për humbje të vendeve të punës, rritje të ekonomisë gri dhe zgjerim të aktiviteteve ilegale të lojërave të fatit. Përfaqësuesit e sektorit kërkuan tërheqjen e ligjit dhe përfshirjen e tyre në hartimin e një zgjidhjeje të re ligjore.
Në fund të debatit, sekretarja shtetërore në Ministrinë e Financave, Andriana Maltlikoska deklaroi se institucionet do t’i shqyrtojnë të gjitha vërejtjet e paraqitura, veçanërisht ato që lidhen me nenin 18.
Ajo tha se do të shqyrtohet mundësia që në përfitimet e parapara të përfshihen të gjitha kategoritë e qytetarëve dhe organizatave, ndërsa shtoi se gjatë hartimit të ligjit është marrë parasysh edhe ndikimi që ndryshimet mund të kenë mbi vendet e punës.
Sektori civil edhe ditë më parë ngriti alarmin se organizatat qytetare janë përjashtuar nga procesi i konsultimeve nga ana e Ministrisë së Financave, pasi projektligji nuk është publikuar as në ENER, ndërsa për procesin u informuam nga Kuvendi. Nga aty ngritën alarmin se projektligji nuk është publikuar në ENER për konsultime publike dhe as nuk i është dërguar Këshillit për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, ndonëse disa nga dispozitat e tij prekin drejtpërdrejt organizatat qytetare.
Kujtojmë se ky propozim-ligj u zvarrit vazhdimisht, fillimisht pasi më 7 gusht 2025 u dorëzua në Kuvend pas miratimit nga Qeveria 16 korrik 2025, gati se një vit më vonë, në prill 2026 u tërhoq për precizim, ndërsa më pas u miratua përsëri më 12 maj nga Qeveria. Ndërsa, Kuvendi e kaloi leximin e parë më 11 qershor.



