Ohër, gastronomet paralajmërojnë rritjen e çmimeve

Këtë verë çmimi i kafesë në bregun e Ohrit do të jetë më i shtrenjtë. Rregullat e reja të punës që gastronomët ende nuk i kanë marrë, kurse duhet t’i plotësojnë nëse duan të punojnë, mund t’i rrisin çmimet e shërbimeve. Nëse para mbylljes së kafeneve çmimi i kafesë ka qenë prej 70 deri 90 denarë, tani situata imponon çmime më të larta, thonë gastronomët.

Mua logjikisht më imponohet kjo. Pasi unë kam shpenzime shtesë të paparashikueshme, duhen maska, doreza që duhet t’i ndërrojmë nga tre- katër palë kurse këto shpenzime deri më tani nuk i kemi pasur – tha Dimitar Zarçev, gastronom.

Edhe pse u paralajmërua që objektet e gastronomisë prej ditës së hënë mund të fillojnë me punë, pronarët thonë që deri më tani nuk kanë marrë ndonjë propozim- rregullore. Informatën e vetme që e posedojnë është se në 10 metër katrorë duhet të vendoset një tavolinë për katër persona.

Këto kushtet që tani pritet të vendosen, i përfshijnë të gjithë gastronomët. Madhësia e hapësirës së hapur, tarracës, pozicioni, e kështu me radhë – tha Mihaill Mishev, kryetar i shoqatës së gastronomëve, Ohër.

Dimensioni prej 10 metër katror për një tavolinë është dhënë në mënyrë paushalle, shprehen bashkëbiseduesit tanë. Sipas tyre, nëse kjo masë është për restorantet, atëherë ka njëfarë logjike, por çfarë ndodh me kafenetë të cilat tërë tarracën e kanë me këtë madhësi? Për shkak të kësaj dhe për shkak të orarit të shkurtuar të punës, disa gastronomë në qendrën më të madhe turistike të vendit thonë se do ta përgjysmojnë personelin, por ka mundësi që fare të mos i hapin objektet.