Nxënësit vazhdojnë bojkotin e mësimit kundër librave digjitalë

Është rikthyer sërish bojkoti në disa shkolla fillore dhe të mesme në shenjë revolte kundër digjitalizimit të teksteve shkollore dhe mësimit në distancë. Nga grupi prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë” thonë se bojkoti do të jetë në fuqi derisa nuk realizohet takim me ministren e Arsimit, Milla Carovska.

“Bojkot kishte por sërish u ballafaquam me presione dhe kërcënime nga mësimdhënës dhe drejtorë sepse nuk kemi mendime të njejta. Kjo për shkak se arsimi është i partizuar. Është përqindje e madhe e prindërve dhe nxënësve që bojkotojnë, kjo do të vazhdojë derisa nuk marrim ftesë konkrete për takim më ministren e Arsimit. Nëse do të na ftojnë në takim, bojkoti do të ndërpritet. Varësisht rrjedhës së takimit, do të dihen edhe hapat e ardhshëm- deklaroi Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Shkollat të cilat vizitoi Alsat mohuan se nxënësit bojkotojnë mësimin. Mirëpo, Gordana Bukreska mësuese në shkollën fillore “Kirili dhe Metodij” në Shkup nuk mbështet realizimin e procesit mësimor vetëm me libra digjital. Ajo tha se ankesat e mësimdhënësve me përvojë kurrë nuk shqyrtohen dhe përfundojnë në sirtarë.

“Nuk them të mos ekzistojnë e-librat por si alternativë dhe shtesë të librave klasik. Unë, si mësimdhënës me përvojë aspak nuk e mbështes të eliminohen librat klasik sepse negativisht do të ndikojë ndaj zhvillimit psiko-fizik të fëmijëve. Ajo që është me rëndësi, zëri i mësimdhënësve shumë dobët dëgjohet. Ne reagojmë, dorëzojmë kërkesa aty ku duhet dhe gjithçka përfundon në sirtar. Nëse dëgjohet zëri i personave kompetent, nuk flas për grupe, por nga mësimi, atëherë do të jetë më ndryshe- pophoi Gordana Bukreska, mësuese, sh.f “Kiril dhe Metodij”.

Nga Ministria e Arsimit thanë se nuk ka bojkot të orëve të mësimit, raste të izoluara mungojnë në mësimin me prezencë fizike dhe online. Gjithashtu, nga ministria apelojnë nxënësit dhe familjet e tyre të ndryshojnë këtë vendim dhe të kthehen në mësim. Çdo mungesë e paarsyeshme duhet të kompensohet me orë shtesë. Grupi i prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, përveç ndërprerjes së procedurave për miratimin e ligjit për tekstet shkollore, gjithashtu kërkon miratimin e protokolleve për kthimin e nxënësve në shkollë, kundër më shumë lëndëve në një, si dhe përfshirjen e profesionistëve nga grupi i prindërve në rishikimin e ligjit./ALSAT