Numri i palestinezëve në botë arriti në 13.7 milionë

Enti për Statistikë i Palestinës njoftoi se deri në vitin 2020 numri i palestinezëve në botë ka arritur në 13.7 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i banorëve në Rripin e Gazës që është nën rrethim është rritur në 2.1 milionë ndërsa në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor të okupuar në 3.1 milionë.

Popullata e përgjithshme e shtetit palestinez, përfshirë palestinezët që jetojnë në Kudsin Lindor, arrin në 5.2 milionë.

Po ashtu, 42 për qind e popullsisë së përgjithshme në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës e përbëjnë migrantë të cilët doemos duhej të linin territorin palestinez pas themelimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.

Sipas Entit për Statistikë, numri i palestinezëve që janë shtetas izraelitë është më shumë se 1.6 milionë ndërsa bëhet fjalë për fëmijët dhe nipërit e 154 mijë palestinezëve që nuk u larguan nga vendi i tyre në vitin 1948.

Po ashtu, rreth 6.2 milionë palestinezë jetojnë në vende të ndryshme, veçmas në Siri, Liban dhe Jordani, ndërsa rreth 738 mijë jetojnë në vende të ndryshme të botës.