Nuk ndalet lufta! Sulm me dron në Liban, një i vrarë dhe dy të plagosur

Një sulm me dron në Liban ka shkaktuar një viktimë dhe ka lënë të plagosur dy persona të tjerë, sipas raportimeve nga mediat shtetërore.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve në Liban ka bërë me dije se pas këtij sulmi dyshohet të jetë Izraeli. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit, në periferi të Jabbour, në zonën e Bekës Perëndimore.

Ky incident ndodh në një moment delikat, ndërsa Izraeli dhe Hezbollahu janë nën një armëpushim të përkohshëm, të vendosur pas tensioneve të fundit mes palëve.

Megjithatë, situata në terren mbetet e paqëndrueshme. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë Associated Press, gjatë ditës së djeshme dhe natës janë regjistruar përplasje dhe shkëmbime zjarri, çka tregon se armëpushimi është i brishtë.