Nuk ka përfunduar inspektimi i vdekjes së pacientes nga Shtipi

Po vijojnë 11 mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për raste të vdekjes për persona nën moshën 40 vjeçare, prej të cilëve tre janë mbyllur dhe për ta nuk mund të inicohet mbikëqyrje e jashtëzakonshme profesionale. Për të tjerët, në momentin kur do të përfundojnë do të vendoset se a ka ose jo elemente që të bëhet mbikëqyrje profesionale, njoftoi Irina Sotirova-Buhova, drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) në konferencën për media të Këshillit Inspektues.

Mbikëqyrjen profesionale për rrethanat për vdekjen e 41 vjeçares nga Shtipi po e bën Oda e Mjekëve, ndërsa njoftim, tha Buhova, do të ketë kur do të përfundojë. Bëri thirrje për durim për shkak të mbingarkesës të mjekëve të cilët krahas punës vijuese, po i bëjnë edhe mbikëqyrjet.

“Kemi iniciuar 25 mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale, megjithatë, të sqaroj, mjekët të cilët do të duhet, që t’i bëjnë mbikëqyrjet, janë të njëjtët mjekë të cilët janë anëtarë të Odës së Mjekëve. Në Odë marrin pjesë të gjithë mjekët të cilët kanë licenca dhe të cilët janë të punësuar në institucione private dhe publike shëndetësore. Ata janë mjekë të cilët për momentin punojnë ditë e natë në shërimin e pacientëve. Që të shmangen konflikte të mundshme të interesave, zgjidhen mjekë të cilët janë nga institucione të ndryshme, e jo nga ata në të cilat, kushtimisht thënë, është shkaktuar problemi. Keni durim sepse mjekët edhe ashtu janë të mbingarkuar, ndërsa asnjë mbikëqyrje e iniciuar nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha Buhova./MIA