Nuk është problem 20% -shi, por Kushtetuta

Shkruan: Arbër Çeliku

Hedhja e tezës nga ana e politikanëve shqiptarë të heqjes së 20%-shit për shqiptarët në RMV (kur dihet botërisht se me aminin e tyre është lejuar futja e kësaj nofke për ne), është edhe një tentim i radhës i manipulimit të opinionit publik, kinse ata merakosen shumë për popullin, që të mund të vazhdojnë edhe më tej me pazaret e tyre politike.

20%-shi (emërtimi i popullit shqiptar në RMV) është një shpikje politike sui generis, një nocion diskriminues, përçmues dhe getoizues, i cili bie ndesh me Kartën e Kombeve të Bashkuara për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut (1948) dhe Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve (që Maqedonia e ka votuar qysh në vitin 1996, por nuk e ka ratifikuar ende në Parlament), e cila rregullon të drejtat kombëtare në një njësi territoriale politike dhe sipas së cilës, nëse një grup etnik arrin 20%-shin në atë njësi territoriale politike, ai me automatizëm është shtetformues (prandaj dhe për gati 16 vjet ajo ende nuk po ratifikohet nga Parlamenti i RMV-së).

Pra, nuk është aspak problem 20%-shi, por Kushtetuta, e cila ende neve shqiptarëve dhe etnitë tjera jomaqedonase na trajton si njerëz të dorës së dytë. Prandaj, duhet kërkuar ndryshimi i Kushtetutës në përputhje me të drejtën natyrore të popujve në RMV, jo sipas qejfeve të politikave populiste, afatshkurte, përjashtuese, diskrimuese dhe dinjitet-cënuese.

Të paktën një herë në jetën e tyre, për të mirën e përgjithshme, le të bëhen burra politikanët shqiptarë në RMV dhe le t’i përmirësojnë gabimet (qoftë edhe pa vullnetin e tyre) e viteve 1991, 2001 dhe 2017. Bllofet në tavolinën e kumarit politik duhet të jenë të mjaftueshme për këto 30 vjet politikëbërje!