Njohja Kosovë – Izrael, nga konsistenca si faktorizim ndërkombëtar te përfitimet e shumëfishta

A Kosovo police officer walks across a red carpet prior to a ceremony held digitally, in the capital Pristina, Monday, Feb. 1, 2021. Kosovo and Israel formally have established diplomatic ties in a ceremony held digitally due to the pandemic lockdown. Kosovo’s Foreign Minister Meliza Haradinaj-Stublla and her Israeli counterpart Gabriel Ashkenazi on Monday held a virtual ceremony signing the documents. The two countries considered it as “making history” and marking “a new chapter.” (AP Photo/Visar Kryeziu)

Më 14 mars, Kosova edhe zyrtarisht ka hapur ambasadën e saj në kryeqytetin e Izraelit në Jerusalem.

Lidhur me këtë çështje ka pasur dilema e kundërshtime edhe nga brenda edhe nga jashtë Kosovës, por institucionet e vendit respektuan marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Izrael me ambasadë të Kosovës në Jerusalem, shkruan lajmi.net.

Pikërisht Jerusalemi, kryeqyteti i kontestuar i Izraelit ishte pika problemore e njohjes së ndërsjellë Kosovë – Izrael që u kundërshtua nga Bashkimi Evropian, nga Turqia dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan por edhe nga Liga Arabe.

Megjithë kundërshtimet e dilemat, Kosova është bërë vendi i tretë në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Guatemalës që vendos ambasadë në Jerusalem, kryeqytetin e Izraelit.

Por, cila është rëndësia e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, sa ka përfituar Kosova nga vendosja e ambasadës në Jerusalem dhe sa mund të përfitojë Kosova në artikulimin e shtetësisë në arenën ndërkombëtare, anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në zhvillimin e brendshëm.

Lidhur me këto çështje, lajmi.net ka biseduar me profesorin universitar dhe njohësin e politikave të jashtme e diplomacisë, Avni Mazreku i cili për lajmi.net ka vlerësuar disa aspekte të njohjes së ndërsjellë Kosovë – Izrael.

Nga marrëveshja e 4 shtatorit te vendosja e ambasadës në Jerusalem:

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit ishte pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë e nënshkruar edhe nga presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Donald Trump.

Sipas profesorit Mazreku, Kosova ka treguar se është konsistente në raport me obligimet e saja ndërkombëtare dhe kjo sipas tij shkon në të mirë të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Në fakt unë mendoj që vendimi i Kosovës për ta respektuar marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020 që shkon në funksion të vendosjes së ambasadës së Kosovës në qytetin e Jerusalemit është në të mirë të zotimeve ndërkombëtare të Kosova i merr dhe shihet se Kosova është konsistente në raport me obligimet e saja ndërkombëtare.”, tha Mazreku.

Sa i përket reagimeve të BE-së, Moskës dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, Mazreku shprehet se konsistenca e Kosovës në këtë pikë është tregues se Kosova nuk është faktor që duhet neglizhuar në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj që konsistenca e Kosovës në raport në këtë çështje është faktor për të mos u neglizhuar në arenën ndërkombëtare dhe vet këto reagime të faktorëve të ndryshëm në BE dhe jo vetëm në BE sepse kemi pasur reagime edhe nga Moska zyrtare dëshmon që Kosova ka bërë një hap pozitiv sa i përket subjektivitetit dhe pozicionimit të saj karshi aleatëve që e kanë mbështetur Kosovën.”, tha Mazreku.

Ndikimi i njohjes nga Izraeli në raportet BE – Kosovë:

Dje, dy eurodeputetë, Lukas Mandl dhe Viola Von Cramon kanë deklaruar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është mesazh i qartë për Bashkimin Evropian që nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë ndaj Kosovës dhe për pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën që tashmë ta bëjnë këtë.

Por, sipas profesor Mazrekut, këto deklarata dhe të ngjashme shkojnë në funksion të faktit se Bashkimi Evropian nuk ka politikë të jashtme dhe se kjo është çështje e vendeve anëtare të BE-së.

“Ne kemi deklaruar edhe më parë se politika e jashtme e Bashkimit Evropian nuk ekziston dhe kjo është çështje e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Deklarimi i eurodeputetit austriak është kritikë ndaj përfaqësuesit Borell i cili është edhe shef i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe nuk e kupton reagimin dhe shtrohen tri pyetje të eurodeputetit të cilat janë të qëlluara sa i përket asaj se si do të sillej dhe do të duhej të sillej BE-ja në raport me Kosovën dhe vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.”, thotë Mazreku.

Gjithashtu, sipas tij, kjo do të duhej të ishte thirrje për BE-në që nëse dëshiron zgjidhje evropiane për problemet evropiane duhet të sillet si faktor dhe fillimisht duhet të marrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Por çfarë është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – BE? Sipas Mazrekut, BE-ja duhet ta njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo ndodh kur të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin Kosovën.

“Kjo do të duhej të ishte thirrje për BE-në se në qoftë se BE-ja don të sillet si faktor, atëherë BE-ja duhet të marrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe kjo nënkupton se Bashkimi Evropian duhet të ketë njohje të plotë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së karshi Kosovës dhe BE kështu nuk ka të drejtë të flasë për politikën e jashtme të BE-së sepse është çështje e vendeve anëtare, dhe nëse BE dëshiron zgjidhje evropiane për probleme evropiane duhet të ushtrojë së pari presion mbi vetën dhe vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën e më pastaj të hapet rrugë për BE-në që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.”, shprehet Mazreku.

Roli i Izraelit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara:

Profesori Mazreku shprehet se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara varet sigurisht nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit e që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina.

Sipas tij, problemi i anëtarësimit të Kosovës është pikërisht ndryshimi i rezolutës 1244 në një rezolutë të re që do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Mendoj që njohja nga Izraeli është njohje shumë e rëndësishme në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme anëtare të Kombeve të Bashkuara, por Izraeli nuk është vend anëtar i përhershëm i Këshllit të Sigurimit. Këto vende janë pesë: SHBA-të, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina dhe dihet që nga këto 5 anëtare të përhershme 2 nga ato kërcënojnë gjithmonë kur vjen fjala te ndryshimi i Rezolutës 1244 dhe zëvendësimin me propozimin e Ahtisarit edhe pse propozimi i Ahtisarit i ka pasur edhe 11 zgjidhje të tjera nga ai që e kemi pasur për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pra të bëhet një rezolutë e re që do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB.”, tha Mazreku.

Tutje, Mazreku shprehet se anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga një kompromis midis pesë vendvee anëtare të Këshillit të Sigurimit pasi që edhe Rusisë e Kinës iu duhet vota e SHBA-ve në çështje të ndryshme, por shprehet se roli i Izraelit është në avancimin e Kosovës në mekanizma të tjerë të OKB-së.

“Pra, anëtarësimi i Kosovës në OKB është çështje e dy vendeve të cilat kërcënojnë me të drejtën e vetos, pra Kina dhe Rusia. Roli i Izraelit është i rëndësishëm në avancimin e Kosovës në disa mekanizma të tjerë të Kombeve të Bashkuara, në funksion të lobimit dhe avancimit, por kur vjen puna e anëtarësimit të Kosovës ky do të jetë problem global. Ne e dimë se Kina dhe Rusia kanë shpesh nevojë për votën e SHBA-ve, dhe kështu unë anëtarësimin e Kosovës e shoh si kompromis i 5 vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.”, thotë Mazreku.

Përfitimet e shumëfishta të Kosovës nga bashkëpunimi me Izraelin:

Mazreku shprehet se njohja nga Izraeli duhet të shihet në disa dimensione dhe të shihet si parakusht i avancimit të marrëdhënieve dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Unë mendoj që njohja e Izraelit duhet të përdoret nga Kosova shumë dimensionalisht. Kosova duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë që vendet e rëndësishme që edhe në të kaluarën ka ndodh sikur njohja nga Britania e Madhe, Gjermania e SHBA-të sigurisht. Njohja duhet të merret si parakusht për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve respektive.”, thotë Mazreku.

Por, çfarë mund të fitojë Kosova?

Mazreku shprehet se Izraeli është shteti më i zhvilluar në botë në sektorin e sigurisë dhe Kosova duhet që të bashkëpunojë edhe nëpërmjet FSK-së, edhe nëpërmjet policisë por edhe nëpërmjet AKI-së me shtetin e Izraelit.

“Ne e dimë se Izraeli në disa sektorë është shteti më i zhvilluar në botë, marrim shembull sektorin e sigurisë, apo institucioneve të sigurisë unë mendoj se Kosova duhet të thellojë bashkëpunimin me Izraelin në funksion të mbështetjes së sektorit të sigurisë në këtë rast nënkupton Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës por edhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, pra Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit që i jep shteti i Izraelit.”, shprehet Mazreku.

Sipas Mazrekut, fusha e dytë ku Kosova mund të përfitojë nga Izraeli është zgjidhja e problemeve rajonale pasi edhe Izraeli ka pasur dhe ka, njëlloj si Kosova që ka pasur dhe ka konflikte të pazgjidhura me fqinjtë.

“Dimensioni i dytë ka të bëjë që shteti i Izraelit në pozicionin e tillë gjeografik ku ndodhet është ballafaquar me konflikte të vazhdueshme disa prej tyre që vazhdojnë ende. Kosova po ashtu ka pasur probleme me fqinjtë e vet dhe po vazhdon të ketë probleme me një shtet që e pengon avancimin e shtetit të Kosovës dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe përvojat në zgjidhjen e problemeve rajonale duhet të merren për bazë dhe Kosova duhet të kërkojnë ndihmë.”, tha Mazreku.

Përveç sigurisë e zgjidhjes së problemeve rajonale, Mazreku e sheh se Kosova mund të përfitojë nga Izraeli edhe në politikën e jashtme, qeverisjen e sektorëve të ndryshëm, sektorin e Bujqësisë, dhe sektorin e arsimit.

“Dimensione të tjera janë sektori i Bujqësisë ku Kosova mund të përfitojë shumë nga shkalla e profesionalizmit të këtij sektori ekonomik në Izrael, por janë edhe shumë sektorë të tjerë si politika e jashtme, konteksti qeverisës se si Kosova duhet të qeverisë me sektorë të caktuar, pra sektori i sigurisë, i politikës së jashtme, zgjidhja e problemeve rajonale, sektori i Bujqësisë, dhe sektori i arsimit ku dihet se Izraeli ka disa nga institucionet më të mira të arsimit në botë.”, tha Mazreku.

Ambasada e Kosovës në Jerusalem:

Ambasada e Kosovës në Jerusalem është e vendosur jo shumë larg ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Kosovës në Jerusalem dhe kështu Kosova tashmë është vendi i tretë në botë që ka vendosur ambasadë në këtë qytet.

Ines Demiri është e Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, dhe ajo e ka marrë kartelën identifikuese të diplomates nga Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit të Izraelit menjëherë pas inaugurimit të ambasadës.

“Një moment vërtet krenar dhe historik për marrëdhëniet e Kosovës dhe Izraelit. Republika e Kosovës sot zyrtarisht hapi Ambasadën e saj në Jeruzalem! Nderi më i madh i jetës sime është të kem këtë mundësi për të hapur Ambasadën dhe t’i shërbej me krenari vendit tim në Izrael”, ka shkruar ajo ditën e inaugurimit të ambasadës.

Në të njëjtën ditë shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Gil Haskel, i ka uruar mirëseardhje Demirit, duke ia dhuruar edhe kartelen e diplomates.

“Isha i nderuar t’i dorëzohej Ines Demirit kartelën diplomatike të Izrealit, si Shefe e parë i Misionit të Ambasadës së parë të Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael. Mirë se vini Ines!!! Mirë se vini Kosovë!!!”, ka shkruar Haskel. /Lajmi.net/