Njihuni me Ajlinen, nëna shqiptare e shtatë fëmijëve që kandidon për deputete (Foto)

Startoi dje emisioni më i ri në Top Channel, ”Kandidati”. Një program që sjell për publikun një profil gjithë përfshirës të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare 2021.
Në puntatën e parë të emisionit mori pjesë Ajlin Alfredaj, 29-vjeçarja, nëna e 7 fëmijëve. Ajo kandidon për deputete në Tropojë dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Eno Popi.

Si është për ty të kandidosh me një forcë politike të majtë kur Tropoja ka qenë bastion i së djathtës?
Në fakt kjo nuk është e vështirë për mu. Unë edhe babit tim i them: shiko ti ke qenë 30-vjet demokrat . Ka votuar për Partinë Demokratike 30-vjet. Çfarë fitove ti që mbështete PD? Je 30 vjet mbrapa në kohë. Para 30 vitesh ka pas në fshatin tim kopsht, çerdhe, magazinë, spital të gjitha. Sot nuk ke çerdhe, nuk ke kopsht, nuk ke Qendër Shëndetësore, nuk ke pikë shumice. Sot është i braktisur.
Cila është pika jote e fortë me qytetarët? Çfarë presin qytetarët prej teje?
Pika ime më e fortë është këmbëngulja, vendosmëria për me i çuar gjërat deri në fund. Unë nëse e them një gjë e bëj, nuk dorëzohna. Kjo vjen edhe nga historia ime personale.
Dhe motoja jote?
Motoja ime është: Nëse nuk fiton sigurohu që të mos humbasësh.