Njëvjetori i vdekjes, Cima kujtohet me dhimbje dhe krenari

Në njëvjetorin e vdekjes, humoristi Rasim Thaçi – Cima është kujtuar nga familjarë, përfaqësues të institucioneve dhe bashkëpunëtorë.

Në njëvjetorin e vdekjes, miku i tij i ngushtë njëherësh bashkëpunëtori prej vitesh, Sevdai Radogoshi-Qumili ka përcjell një mesazh emocionues.

Ky i fundit ka shpërndarë disa fotografi të tyre të përbashkëta në rrjete sociale duke e falënderuar për momentet e bukura që ka dhuruar në kinematografinë kosovare.

“Sot një vit u nda nga kjo jetë Rasim Thaqi-Cima! Një njeri me zemer të madhe, një shok, mik, human dhe gjithmonë i gatshëm të jepte dhe piken e fundit nga vetvetja për me i ba tjert me qeshë. Gjithmonë falënderues për momentet e bukura që na dhuroj ky artist i madh! Do të kujtojmë gjithmonë, mbreti humorit”, theksoi Radogoshi.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku organizoi pritje për familjarët, ku kujtuan me dhimbje veprimtarin e humoristit legjendar.

Artisja Adelina Thaçi – Meta tha se sa herë e kujtojnë të atin iu rikthehet fuqia dhe optimizmi. “E kam të vështirë të ndalem sot në këtë ditë tek nata kur ndërroi jetë babi. Ngase ajo sado e shënjuar është vetëm një natë, një nga dhjetëra mijëra natë të tjera që ai na ka dhuruar e vazhdon të na i dhurojë edhe sot e kësaj dite me dashuri, buzëqeshjet e tij, me humorin e me fjalën e ëmbël mbështetëse jo vetëm për ne si familje… Një vit me parë kur po lëngonte nga COVID-i të gjithë ne si familje që ishim në kontakt intensiv me të ishim të sigurt se ai po ia dilte ta mundte këtë sëmundje. Ndoshta se shpërfaqte gjatë gjithë kohës forcën dhe kurajën, ishte me humor dhe shumë optimist, por më shumë gjase ai po aktronte edhe në aktin e fundit të shfaqjes së tij jetësore… Sa herë të kujtojmë në familje e sa herë të kujtojnë njerëzit e këtij nën qielli, babë na kthehet fuqia, optimizmi, buzëqeshja dhe dashuria për njeriun e këtij vendi dhe për këtë vend”, tha Adelina Thaçi.

Artan Thaçi tha se ende e ka të vështirë ta pranojë vdekjen e babait. Në mesin e kujtimeve të shumta janë edhe rrobat e tij, që i ruan me shumë dashuri. Ndër të tjera, Artani tha se është krenar që sa herë del në publik, e njohin për shkak të babait të tij.

Cima vdiq më 26 mars të vitit 2021, ndërkohë që ndodhej në spital për shkak se ishte i infektuar me coronavirus.(INA)