Një delegacion i Universitetit të Tetovës, i përbërë nga Prof. Dr. Florim Idrizi – dekan i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibraimi, Prof. Dr. Florinda Imeri, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Doc. Dr. Shkurte Luma-Osmani, më 24 dhjetor 2025, realizoi një vizitë zyrtare në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.
Delegacioni u prit nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike Prof. Dr. Isak Shabani, me të cilin vitin e kaluar është nënshkruar marrëveshja ndëruniversitare e bashkëpunimit. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e mëtejmë ndërmjet dy universiteteve, me theks të veçantë në zbatimin konkret të kësaj marrëveshjeje.
U theksua se marrëveshja ka filluar të institucionalizohet, duke kaluar nga një kornizë formale në bashkëpunim të strukturuar dhe të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, fakultetet përkatëse janë duke përpiluar projekte të përbashkëta kërkimore në kuadër të programeve Erasmus+ KA2, ndërsa stafi akademik i Universitetit të Tetovës tashmë është i përfshirë në komisione vlerësuese të studimeve të doktoratës (PhD) në Universitetin e Prishtinës.
Takimi shërbeu gjithashtu për të identifikuar fusha të reja bashkëpunimi me interes të ndërsjellë, përfshirë zgjerimin e mobilitetit akademik, bashkautorësinë e punimeve shkencore dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore dhe arsimore.








