Njëri prej tyre kishte kontakte me BIA-n/ Tre serbët u kapen në flagrancë, por u liruan! A ishte skenari i ngjashëm me rastin “Panda”?

Tashmë dy javë më parë, tre shtetas serbë, të cilët kanë hyrë në Kosovë në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, dhe më pas në Gjilan e kanë lënë automjetin e tyre me targa të Nishit dhe kanë hipur në makinën e një qytetari shqiptar, i cili i ka sjellë në Prishtinë.

Ata me ardhjen në kryeqytet, kishin shkuar në një dyqan për të blerë emblema të UÇK-së.

Të tre serbët, D. Dolaseviq, V.Jankoviq dhe D. Dolaseviq  ishin kapur dhe arrestuar në flagrancë, por që, ishin liruar brenda 24 – orëve.

Prokuroria kishte njoftuar se serbët janë liruar pasi për momentin nuk kishin prova që të mund të procedohej rasti për gjykatë.

Është raportuar skenari se si serbët tentuan të blejnë disa uniforma ushtarake dhe emblema të UÇK-së, por pasi kanë vërejtur pjesëtarët e policisë kanë blerë vetëm emblemat e UÇK-së.

Skenari ka qenë që emblemat të vendosen në gjepat e uniformave ushtarake që të mos kishte dyshime se ato janë inskenuar nga Beogradi.

Sipas dëshmive te serbët janë gjetur 5 emblema, mirëpo të njëjtit kishin deklaruar se janë koleksionues të tyre dhe asgjë më shumë.

“Njëri nga serbët kishte kontakte me BIA-n”

Për këtë çështje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se njëri nga tre serbët e arrestuar në Prishtinë kishte kontakte me BIA-n serbe dhe me Rusinë.

Por, pas këtyre informacioneve që dha ministrja Haxhiu kush është fajtorë për lirimin e serbëve?

Shtrohet pyetja se a duhet të pastrohet AKI-ja, pas lirimit të tre serbëve, e që njëri prej tyre u tha nga autoritetet se ishte bashkëpunëtor i UDB-së?

A është përgjegjësi e saj, apo e prokurorëve dhe gjykatësve që kanë lidhje me Serbinë, që i liruan pa u kryer hetimet për serbët?

Pse nuk i ka raportuar ata në institucionet përkatëse, në mënyrë që të shkarkohen?

Rasti “Panda”

Për këtë çështje, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava shton se, në këtë kohë po ballafaqohemi me raste të ndryshme të ndodhive, sikurse që ishte rasti i arrestimit të tre serbëve që kanë tentuar të blejnë uniforma dhe emblema të UÇK-së e u liruan pastaj.

“Për këtë rast siç po duket ka edhe shumë shqetësime të ndryshme në bazë të interpretimeve të llojllojshme, e që për ne shqiptarët raste të tilla janë tepër të ndjeshme, sepse edhe në kohët e ndjeshme të paraluftës, edhe gjatë luftës, po në këto mënyra serbët i kanë përdorur këto metoda të veshjeve dhe uniformave të UÇK-së, dhe në shumë raste kanë hyrë në mesin e popullatës shqiptare, dhe duke i provokuar në mënyra të ndryshme tani kanë bërë edhe vrasje edhe masakra të ndryshme”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ai kujton rastin “Panda” në Pejë duke shtuar se kishte edhe raste të tjera të shumta, gjë që, edhe vet një epror serb, ushtarak i quajtur Niki e pranon në një televizion serb.

“Ai e shpjegon se në shumë raste e ka veshur gjatë luftës uniformën e UÇK-së dhe ka bërë çfarë ka dashur në familjet shqiptare. Prandaj kjo tani ka marr përmasa të mëdha, trishtuese dhe qytetarët po bëjnë pyetje se pse në mënyrë të shpejt u liruan tre serbët që supozohet që kanë dashur të blejnë uniforma dhe emblema të UÇK-së, pasi ky rast ndërlidhet me ato rastet e mëhershme”, shton tutje ai.

Sipas tij, emblemat e UÇK-së mund të blihen në shumë vende apo shitore, andaj shton se, emblemat tani Serbia ka mundësi edhe të prodhojë pa asnjë problem nëse ka plane të tilla që t’i përsërit ato veprime të asaj kohe, e sidomos nëse e vlerësojnë se lufta do të ndodhë patjetër.

Nuk është dashur të lirohen serbët e arrestuar

“Kjo ndodhi, është dashur të zhvillohet më ndryshe, e sidomos kur e dimë dhe kemi përvoja me shtetin serb, të cilët pandërprerë sillen në mënyrë të vrazhdë me udhëtarët shqiptarë, të cilët udhëtojnë për në shtetet e BE-së, apo edhe të tjera shtete përmes Serbisë. Gjithashtu ndodh që ka edhe shumë të tillë që ballafaqohen me maltretime të ndryshme për dyshime të ndryshme që ata i shpikin ndaj shqiptarëve dhe shpeshherë i burgosin për dyshime të tyre që i mbajnë me muaj të tërë të burgosur e duke i akuzuar se kanë qenë në luftë kundër tyre dhe akuza të tjera sikur që dinë ata t’i bëjnë. Andaj mendoj që, këta serbët e arrestuar e njëri që ishte bashkëpunëtorë i BIA-s, së paku është dashur të paraburgosen dhe ndaj tyre të zhvillohen hetime dhe në bazë të hulumtimeve të ndërmerren masa të mëtutjeshme. Prandaj, nëse do ishin nën hetime edhe disa javë apo muaj, hetimi do të zbardhte të gjitha dyshimet e asaj se çfarë qëllimi kanë pasur dhe ky veprim ishte statisfaksion për qytetarët e Kosovës, se megjithatë institucionet e sigurisë si policia e AKI-ja po i kryejnë punët për të cilat paguhen konform ligjeve që i autorizojnë ata”, thotë Tërnava.

Hetimet e zgjeruara

Eksperti thekson se pasi përflitet se njëri prej atyre ishte bashkëpunëtor i BIA-së serbe, është dashur që të ketë hetime për të zbuluar, prandaj, sipas tij, është dashur që të angazhohen njerëz të shërbimeve sekrete.

“Nëse kishim pas fakte se ata njerëz ishin bashkëpunëtor të BIA-së, dhe nëse në këtë rast të hulumtimit ka marrë pjesë ndonjë zyrtar i shërbimit tonë sekret dhe ka dhënë leje që të vazhdojnë rrugën e tyre pa u bërë hetime ndaj tyre, atëherë mund të thuhet se këtu ka pas shkelje ligjore dhe në bazë të këtyre lëshimeve po krijohen dyshime në pastërtinë e tyre si zyrtar të autorizuar të shtetit, dhe ai person duhet të përgjigjet për gabimet e tij. Andaj me këto veprime po e njollos shërbimin sekret të AKI-së për të cilin shërbim, duhet të kemi konsideratë dhe nëse ka edhe të tjera dyshime për të kaluarën e punëtorëve të këtij shërbimi, sikur që ka dyshime për ta, gjithsesi duhet të bëhet verifikimi i punëtorëve të këtij shërbimi dhe njëherë e mirë të pastrohet nga njerëzit e dyshuar. Andaj nëse punëtori i AKI-së që është i përfolur në rastin e tre serbëve dhe nëse ka kuptuar se njëri është bashkëpunëtor i BIA-së dhe nuk është marr në pyetje për këto lëshime, aty duhet të fillojnë hetimet e zgjeruara për mos angazhimin dhe zbulimin e njerëzve që munden me qenë bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja, pasi që dihet se punëtorët e shërbimeve sekrete janë njerëzit më të besuar të shtetit, e të cilët pavarësisht rrethanave duhet të jenë gjithnjë të pastër para ligjit të Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.