Dëshmi tronditëse e nënës së fëmijës 14-vjeçar të sulmuar nga Lagjja “Hasanbeg” e Shkupit.
Nëna e fëmijës, Xheljana Selimi, nuk është e kënaqur me mënyrën se si shërbimet po e trajtojnë rastin, ajo beson se vepra penale nuk është dhunë, por tentativë vrasjeje, për të cilën autorët duhet të mbahen përgjegjës.
Nëna e fëmijës 14-vjeçar, i cili u godit me thikë rreth 10 ditë më parë në “Hasanbeg” të Shkupit, beson se sulmuesit e djalit të saj, duhet të mbahen përgjegjës për tentativë vrasjeje, dhe jo për dhunë, pasi rasti me sulmin e shëmtuar po trajtohet aktualisht.
Xheljana Selimi thotë se djali i saj ishte në “Hasanbeg” me kushërinjtë e tij mori një telefonatë nga miqtë e tij për t’u takuar në një park, por atje ai takoi 3 burra të rritur, të cilët menjëherë filluan ta fyejnë dhe ta sulmojnë dhunshëm fëmijën. Pasi e rrahën dhe e therrën 7 herë me thikë, e lanë të shtrirë në park.
“Njëri e goditi në kokë me pushkë, i dyti e goditi në trup dhe i treti e theri 7 herë me thikë në shpinë” – ka rrefyer nëna për “Telma”.
Sulmuesit ikën menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një kalimtar e pa fëmijën dhe thirri ambulancën e policinë.
Zonja Selimi tha se nuk është e kënaqur me mënyrën se si shërbimet po e trajtojnë rastin.
– Fëmija nuk ndihet i sigurtë pas atij incidenti, por as unë. Sot është fëmija im, dhe nesër do të jetë fëmija i dikujt tjetër. Ky rast nuk duhet të lihet kështu. Autoritetet kompetente duhet ta ndjekin deri në fund. Ky rast definitivisht nuk duhet të trajtohet si dhunë, ky është një tentativë vrasjeje – thotë ajo.
Nëna thotë se nuk ka pasur keqkuptime dhe nuk e di se cili ishte motivi i sulmit.
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se po punon për të zgjidhur rastin.
“Punonjësit policorë të SPV Shkup privuan nga liria J.J., V.A. dhe V.S. nga Shkupi sepse më 22.6.2026 rreth orës 23:05 në zonën e Gazi Babës, sulmuan fizikisht një të mitur dhe i shkaktuan lëndime me një objekt të mprehtë. Me ta u kryen intervista zyrtare dhe pas dokumentimit të rastit do të ngrihen kallëzime penale përkatëse”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).





