Një thënie e çuditshme “largimet nga vendi ndodhin për shkak globalizimit”!

Shkruan: Lirim Begzati

Largimet nga vendi nuk kanë të ndalur! Largohen sidomos të rinjtë, kjo shtresë e popullatës që posedon potenciale për me iu dhënë një shpresë perspektivave zhvillimore të vendeve tona. U larguan dhe vazhdojnë akoma të largohen, shpeshherë të detyruar, duke i shikuar perspektivat në vendet e huaja.

Përballë kësaj ndodhie, dëgjojmë nganjëherë sqarime, përmes së cilave disa diskurse politike tentojnë t’a arsyetojnë këtë dukuri përmes thënies së ashtuquajtur moderne  “jetojmë në kohërat e globalizimit dhe në trendët aktuale është bërë normale që të ndodhin gjithë këto dyndje të popullsisë”.

Po, është e vërtetë se jemi duke kaluar përmes një dinamike të pareshtur të disa zhvillimeve botërore. Mirëpo, shtrohet pyetja se si duken vendet tona karshi këtij procesi? Ku mund të gjejë mbështetjen e tij të vërtetë preteksti se këto largime ndodhin për shkak “globalizimeve”?

Nëse iu afrohemi pak më tepër realiteteve, një analizë n’a thotë këtë: shumë shtete të zhvilluara evropiane kalojnë përmes këtij procesi. Në emër të vlerave të globalizimit, ata arrijnë, për shembull, që të absorbojë në tregun e tyre të punës një numër të konsiderueshëm të huajve. Kurse, çka absorbon tregu ynë i punës, krahas braktisjes së vendeve të punës?

Shtetasit e vendeve të zhvilluara, edhe ata, ndonjëherë largohen nga vendi i tyre, por vetëm për arsye krejtësisht të tjera, që rrallëherë kanë ngjashmëri me arsyet e largimeve të njerëzve tanë!

Çfarë është duke ndodhur te na? Përveç largimeve nga vendi, nuk vërejmë aq shumë dinamika zhvillimi sipas vlerave të globalizimit. Sigurimi i një korridori në hapësirat tona, për me iu mundësuar refugjatëve, për shembull të Bangladeshit dhe të Sirisë, që të vazhdojnë rrugën e tyre për me arritur në destinacionin e tyre të preferuar, apo për me arritur në shtetet ku globalizimi lulëzon, vallë a ky po na qenka globalizimi ynë?!

Tregu ynë i punës ka filluar të kërkoi fuqi punëtore në vendet e ballafaquara me një varfëri të skajshme dhe me një ekonomi tejet të pazhvilluar. Kjo ndodh vetëm për arsye të mungesës së fuqisë vendore të punës, që është larguar nga vendi për me shkuar në vendet ku kultivohet prosperiteti ekonomik. Largime pra që vështirë integrohen në regjistrin e globalizimit në vendin e origjinës.

Zëvendësimin e fuqisë sonë punëtore me punëtorë nga Nepali dhe ndonjë shtet tjetër aziatik, edhe këtë nuk do të mund ta quanim një vlerë të globalizimit, thjesht pasi që kjo reflekton një pasojë të dështimit të disa politikave vendore, e assesi një komponente të globalizimit.

Çka nënkupton realisht globalizimi, ky pretekst aq i privilegjuar i disa protagonistëve politikë të vendit ? Sipas një definimi “…Në këndvështrimin ekonomik, globalizimi është një proces i ndërkombëtarizmit të transaksioneve industriale, tregtare dhe financiare. Ai ndërlidhet me liberalizimin e këmbimeve dhe me intensifikimin e tyre. Si një dukuri e integrimit ekonomik, globalizimi kontribuon në atë që shtetet të krijojnë një ndërvarshmëri, posaçërisht për arsye të lirisë së qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitaleve, njerëzve, ideve dhe teknologjisë”.

Sa identifikohen vendet tona në këtë definicion, për me i dhënë pastaj liri vetes për me thënë se largimet nga vendi janë pasojë direkte e proceseve të globalizimit?

Arsyet e largimeve nga vendi janë pra aq të ngulfatura në sqarime të tjera, saqë edhe ato aspekte që do të lidheshin sadopak me globalizimin nuk lejojnë që të përdoret ky pretekst! Arsyet e largimeve janë evidente dhe kryesisht të tjera, bile pa pasur aspak nevojë për me u lodhur për atë se çfarë nënkupton realisht ky globalizimi ynë.