Një shans i humbur në zyrën e Trumpit

Për të marrë njohjen nga Serbia, Kosova formoi 6 komuna me shumicë serbe, bëri decentralizimin, ia dha Kishës së Serbisë të gjitha kishat e manastiret ortodokse, e shkeli kushtetutën e saj dhe tash në Uashington ia dha Serbisë edhe tregun e saj. Nëse Kosova e jep edhe Zajednicën veresi, atëherë për të marrë njohje nga Serbia, Kosova do të detyrohet të japë edhe pjesë të territorit të saj.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Në Uashington është bërë një pazar ku përfitimin më të madh e ka korrë Donald Trump, që ka fituar zemrat e lobit hebre, si lobit vendimtar se kush e fiton garën për President.

Përfitues i dytë është Amerika, që mori premtimin e Serbisë për t’u larguar me rusët e kinezët. Përfitues i tretë është Izraeli, që fitoi dy ambasada të tjera në Jerusalem.

Përfitues i katërt është Serbia, që përfitoi tregun në Ballkanin Perëndimor, d.m.th. mori zotimin amerikan se do të jetë baba i Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, duke mos i dhënë njohjen Kosovës njëherë për njëherë (më vonë do të jetë e detyruar ta njohë kundruall një çmimi që Kosova do ta paguajë sërish).

Ndërkaq përfituesi i pestë është Kosova, që fitoi njohjen nga Izraeli me çmim tejet-tejet të lartë (acarim të marrëdhënieve me vendet e BE-së dhe me vendet më shumicë myslimane, kjo për shkak të Jerusalemit, kthimin e pronave bashkësisë hebraike në Kosovë dhe Kishës Ortodokse Serbe, që u blenë ose u konfiskuan nga komunistët).

Tani, pas 21 viteve keqqeverisjeje, krim e korrupsion, Kosova nuk ka mundur të presë më shumë se një asht të tillë. Për këtë nuk ia ka askush fajin dhe nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, pos ta nënshkruajë atë që nënshkroi A.Hoti. Reagimi i Albin Kurtit nuk ka ndonjë vlerë. E mira do të ishte që ai të mos i acaronte amerikanët sa ishte kryeministër. Sot ai do të ishte kryeministër dhe ashti në Uashington për Kosovën do të ishte më i madh, e ndoshta edhe me ndonjë cikël mish.

Mbi të gjitha, Kosova në Uashington e humbi shansin për t’u njohur nga Serbia. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të njihet më vonë, por nuk është njësoj sikur të njihet sot, sikur të njihet pas një viti apo pas 10 vjetëve. Koha është e rëndësishme. Madje, sa më shumë që kalon koha, aq më shumë rritet çmimi.

E Kosova sikur kishte kohë me bollëk. Sikur Albin Kurti të kishte pak më shumë sens për politikë të jashtme, nuk do të kishte humbur kohën me teket e tij për taksë e reciprocitet, por do ta kishte nisur pazarin për njohje nga Serbia, ndërsa administrata e Trumpit nuk do të ishte në zgripc kohe (për shkak të fushatës presidenciale) për ta detyruar Vuçiqin ta njohë Kosovën. Kësisoj administrata e Trumpit u detyrua të proklamojë për marrëveshje historike një zotim me terma të përgjithshëm, por që nuk e zgjidhi asnjë problem konkret mes Kosovës e Serbisë e që nuk ishte biseduar edhe në Bruksel. Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte në pozitë të tillë që fare lehtë mund të thyhej nga presioni amerikan, duke qenë se pushteti i tij në Serbi është bërë absolut (kontrollon 245 deputetë nga 250 sa ka Parlamenti i Serbisë. Zgjedhjet e ardhshme në Amerikë janë tek pas 4 viteve, kurse Bashkimi Europian, si konglomerat kombesh nga të cilët 22 e njohin Kosovën e 5 nuk e njohin, është vështirë e pritshme që t’ia bëjë presionin e nevojshëm Serbisë për ta njohur Kosovën.

Për më tepër, ka rrezik që në negociatat që duhet të vazhdojnë, Kosova t’i shpenzojë edhe ato pak gjëra që mund t’i japë në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë.

Në fakt, Kosova tashmë tri herë po e paguan çmimin për njohje, ndërsa Serbia nuk po e njeh.

Së pari në procesin negociatave të Vjenës 2005-2007, për të marrë njohje nga Serbia, Kosova i krijoi 6 komuna të reja me shumicë serbe dhe bëri decentralizimin, ku kompetencat e kryetarëve të komunave u shndërruan në kompetenca sulltanësh. Këtë më së miri e ilustron fakti se në Shqipëri kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, ka dhënë dorëheqje për t’u bërë zëvendës-kryeministër, kurse në Kosovë zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë dorëheqje për t’u bërë kryetare e Gjakovës. Kjo tregon se ku është i përqendruar pushteti real. Çfarë po them me këtë? Ky është çmim që e ka paguar Kosova në këmbim të njohjes. Nuk është puna se kosovarët kanë diçka kundër që serbët të kenë sa më shumë të drejta, por problemi është se krijimi dhe mirëmbajtja e komunave me nga 5000 banorë, i kushton buxhetit të Kosovës. Edhe boshnjakët e Kosovës po kërkojnë që sa vite ta kenë një komunë të tyren në Kosovë, por Kosova nuk po ua jep. Jo se ka diçka kundër boshnjakëve, por thjesht kjo kushton para. Sikur të na kushtëzonte, ta zëmë, Bosnja e Hercegovina: “krijoni një komunë me shumicë boshnjake në Kosovë dhe ne do t’ju njohim”, ne do ta krijonim atë.

Pos këtij çmimi, Kosova pagoi edhe një çmim tjetër për t’u njohur nga Serbia – Kosova pranoi që kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë t’i jepen Serbisë, përfshi këtu edhe një perimetër të madh rreth tyre si zonë sigurie ku nuk guxon kush të ndërtojë as rrugë e as fabrika ose objekte ndërtimi.

Çmimi i dytë që e pagoi Kosova për të marrë njohjen nga Serbia është procesi i Brukselit. Thelbi i Planit të Ahtisaarit ishte kompromisi që Kosova në këmbim të marrjes në kontroll të veriut të saj do të krijonte 6 komuna të reja me shumicë serbe (5 në jug të Ibrit e 1 në veri). Por, Qeveria Thaçi 1, ku ministër i pushtetit lokal ishte Sadri Ferati, në vend se të shkonte paralelisht në zbatim të këtij plani, duke krijuar komunat e reja varësisht prej shtrirjes së pushtetit qendror në veri të Kosovës, filloi me zell krijimin e komunave me shumicë serbe në jug të Kosovës, duke mos u marrë fare me veriun e Kosovës. Për me tepër, institucionet e Kosovës, që kishin vepruar deri më atëherë në veri, si Gjykata Themelore dhe Gjykata e Qarkut, u transferuan në Vushtrri.

Kur i erdhi radha veriut, serbët kërkuan një tjetër çmim – u desh që në Bruksel të negociohet për rikthimin e gjykatave e të Policisë së Kosovës në veri. Ky kompromis i kushtoi Kosovës me shkelje të Kushtetutës së saj. Nga Drejtoria Regjionale e Policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës (Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq) u krijua Drejtoria e 6-të (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq) me drejtor policie nga komuniteti serb. Gjykatësit dhe prokurorët duhet të jenë me numër të barabartë: 50% shqiptarë e 50% serbë. Kjo është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, pasi – ta zëmë – në 5 drejtoritë e tjera të policisë nuk përcaktohet etnia e drejtorit ose komandantëve, kurse tek ky i gjashti nuk mund të jetë ndokush tjetër, përveçse serb. Po ashtu, një pjesëtar i komunitetit boshnjak ose ndonjë komuniteti tjetër nuk mund të bëhet as gjykatës as prokuror në 1/5 e territorit të Kosovës nëse nuk është ose shqiptar ose serb. Kjo është shkelje e nenit të Kushtetutës së Kosovës për barazinë e qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, religjioze… etj.

Çmimi i tretë – Zajednica: Kur në dialogun në Bruksel u diskutua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pala kosovare nuk ishte e vetëdijshme se po e harxhonte monedhën e fundit me të cilën duhej ta blinte njohjen nga Serbia. Ky pazar u stopua me shkelje syri nga amerikanët dhe kur pala kosovare filloi ta kërkojë më hapur njohjen, u hap tema e këmbimit të territoreve.

Në fakt, ky muhabet kishte nisur tre vite më parë në një tryezë të tipit të mbyllur për publikun në Beogradtë organizuar nga një ambasadë e rëndësishme atje e ku merrnin pjesë politikanë dhe intelektualë nga Kosova e Serbia, mes tyre edhe autori i këtij shkrimi.

Në këtë tryezë diskutova i pari dhe shkurt, duke thënë se Kosova që sa herë po e paguan çmimin për njohje dhe Serbia po e ngren çmimin serish. Tani është radha që Serbia ta thotë pazarin përfundimtar se për cilin çmim do të na e japë njohjen. Njëri nga pjesëmarrësit serb, nga partia e Vuçiqit, tha se Serbia ka pesë kërkesa:

Që Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani t’i kthehen Serbisë, ashtu që liqeni i Gazivodës të ndahet përgjysmë;
Të formohet Zajednica me kryeqytet Mitrovicën Veriore e me kompetencë të planifikimit hapësinor;
Të nënshkruhet marrëveshje që Serbisë nuk do t’i kërkohen kompensime e dëmshpërblime të luftës;
Që të mos ketë komuna me shumicë shqiptare në Serbi dhe për këtë Serbia është e gatshme që shqiptarëve t’u japë dy fshatra të Bujanovcit, tre fshatra të Preshevës dhe qytetin e Preshevës;
Që Kosova të mos jetë shtet i pavarur, por t’i bashkëngjitet Shqipërisë.

Reagimi im i menjëhershëm ishte se çmimi është tepër i lartë, i papranueshëm, madje edhe sikur të mos ishte kjo kërkesa e pestë. U thashë se e kuptoj që Serbia ka dëshirë ta ketë kryeministër fqinj Edi Ramën, që për krimet serbe di vetëm nga librat e historisë e jo Ramush Haradinajn, që ia kanë vrarë tre vëllezër, ose AlbinKurtin, që e kanë zhdëpë në dajak, por fati i Serbisë është që do të ketë kryeministra fqinjë Ramushat e Albinat, e jo Edi Ramat.

Por, diskutimi për këmbim territoresh u vazhdua në takimet mes Vuçiqit e Thaçit për një kohë derisa opinioni në Kosovë e Serbi u lodh dhe pastaj u largua nga Shtëpia e Bardhë John Bolton-i.

Por, pazari përfundimtar nuk ndodhi as në Uashington para vetë Presidentit Trump.

Kosova në Uashington ia dha tregun e saj Serbisë, por në këmbim nuk mori asgjë. Prandaj punën e Zajednicës Kosova duhet ta negociojë, por në çdo marrëveshje duhet të nënshkruajë se Zajednica hyn në fuqi ditën që Serbia e njeh Kosovën. Në të kundërtën, nëse Kosova e jep edhe Zajednicën veresi, për të marrë njohje nga Serbia, ajo do të detyrohet të japë edhe pjesë të territorit të saj.