Një pranim – dorëzim evropian në Tetovë…!

Shkruan: Ismail Arsllani

Çdo disfatë në gara zgjedhore është pjesë e betejës. Është me rëndësi të respektohet vullneti i popullit dhe të vendosen parimet demokratike edhe te ne shqiptarët. Kështu ndodhi sot në Tetovë, për kënaqësinë e gjithë tetovarëve, pranim-dorëzimi i postit të kryetarit të komunës së Tetovës nga ish-kryetarja Teuta Arifi dhe kryetari tashmë i nominuar, Bilall Kasami. Në gjithë këtë ceremoni kishte jo vetëm parime demokratike evropiane, por edhe një simbolikë e fuqishme se do të ecim përpara. Ardhja e kryetarit Kasami më këmbë, bashkë me suitën e tij, në ditën e parë të punës në postin e të parit të komunës, është një ogur i mirë se punët do të zhvillohen si në vendet evropiane, me shumë punë e djersë, gjithnjë në shërbim të popullit dhe pranë popullit, ashtu si e bëri Kasami duke ecur rrugëve të qytetit dhe duke u përshëndetur me bashkëqytetarët. Natyrisht që kjo mënyrë nuk është e domosdoshme të bëhet për çdo ditë, por kryetari i ri Kasami deshi me këtë të japë porosi se si do të udhëheq me këtë komunë, pa lukse e shpenzim parash të popullit.
Teuta Arifi, promovoi me këtë rast të pranim-dorëzimit të pushtetit vendor, gjithë mundësinë e veprimit dhe sjelljes demokratike. Kjo gjë u bë me dinjitet, me urata e shtrëngim duarsh mes kundërshtarëve të para do ditshëm politikë e zgjedhor, që është për çdo lëvdatë.
Po ua kujtoj tetovarëve se si është bërë kjo punë para 30 vjetësh, në zgjedhjet e para vendore pluraliste në Tetovë. Nomenklatura pushtetare qendrore, që u detyrua ta braktisë sistemin socialist-komunist si gjithë ish-republikat e Jugosllavisë së shpërbërë, e vetëdijshme se në komunat shqiptare do t’i fitojnë postet e udhëheqjes kandidatët shqiptarë, me urgjencë revidoi dhe i reduktoi kompetencat e komunave, sidomos në rrafshin financiar, të cilat i transferoi në Shkup. Deri atëherë, për nga kompetencat, komunat kanë qenë “gjysmë-shtete” apo “qeveri të vogla”, por kjo u asgjësua brenda nate.
Në Tetovë, zgjedhjet vendore i fitoi Shaqir Aliti, kandidat i Partisë për Prosperitet Demokratik, me kryetar Nevzat Halilin. Por, nga strukturat e deriatëhershme pushtetmbajtëse nuk lejohej ardhja e kryetarit të ri në postin që e kishte fituar në zgjedhje pluraliste. Kjo mbështetej heshtur edhe nga Shkupi, në orkestrim nga popullata e palës tjetër, që nuk pajtohej me marrjen e udhëheqjes së Tetovës nga një kryetar shqiptar. Si zgjidhje të përkohshme, Shkupi gjeti vendosjen e dhunshme e të përkohshme të një kryetari maqedonas nga Shkupi, derisa të ftoheshin gjakrat. Pas një kohe, një ditë të ndritur për tetovarët, kryetari i zgjedhur Shaqir Aliti, me bashkëpunëtorët e tij, me forcë dhe në mënyrë dramatike hyri në kabinetin e kryetarit dhe mori udhëheqjen e pushtetit në Tetovë.
Ky fakt historik, megjithatë, dëshmon se kemi bërë një hap përpara drejt demokracisë evropiane. /I. A.