Një mesele për Afrim Gashin lidhur me “veton” e Bullgarisë

Shkruan: Fejzi Hajdari

Kur Afrimi thotë se me bllokimin e rrugëtimit të Maqedonisë drejtë BE’së, Bullgaria në njëfarë mënyre e ka shtuar ndikimin serb në Maqedoni ose i ka krijuar një hapësirë të tillë, ai o nuk e di se çfarë flet ose i është bashkuar linjës politike të BDI-së, të arsyesimit të gjithckaje që bënë qeveria! Nëse Bullgaria me një veprim të tillë (pa hyrë në hollësi, se nëse është i qëlluar e me vend, apo jo) po përpiqet në radhë të parë ta mbrojë interesin shtetërorë e nacional, çfarë po bëjnë partitë politike shqiptare në Maqedoni, të cilat as zhvillimet e fundit, si dënimet drakonike gjyqësore për rastin Monstra, rastin Alfa, ofendimit në libra të tipit “shqiptarët kanë origjinë prej romëve, turqëve dhe çerkezëve”, nuk po arrijnë t’i zgjojnë nga gjumi. Faktori politikë shqiptarë, kur janë në pyetje interesat politike të shqiptarëve, jo që nuk ka ama asnjë ndikim, por edhe rrjedhën e tyre e shikon nga ‘tribunat e stadiumit politik’ pa u përpjekur njëherë seriozisht të zbresë në fushë, për tu bërë pjesë e lojës Afrim, më thuaj si do të bëhemi në pjesë e BE-së, me këtë status superdiskriminues, ku akoma në Kushtetutë figurojmë si “20 për qind”, ku gjuha jonë është në një rrafsh me të romëve në Komunën Shutkë të Shkupit, në të cilën romët numerikisht janë mbi 20 për qind… Përdorimi i flamurit tonë kombëtarë (e kam fjalë për Flamurin Kuq e Zi) dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, edhe krahas dallavereve dhe rrenave të politikës shqiptare, nuk është zyrtar dhe në një rrafsh përdorimi me atë të maqedonasve… Të mos i futem rasteve të montuara politike dhe rregullimit të statusit të ushtarëve të UCK-së.
Që të sjellë një përfundim…, me këtë dua të them se pikërisht MUNGESA E BLLOKIMIT (Veto), apo më mirë KUSHTËZIMIT TË QEVERIVE TË DERITANSHME në Shkup, ka bërë që statusi jonë si shqiptarë, të vazhdoj të jetë diskriminues tani 30 vite me radhë.
Afrim, duhet të kushtëzohen qeveritë maqedonase pa dallim, në mos nga Alija dhe BDI-së që nuk e kanë kushtëzuar kurrë, të paktën ju opozita duhet ta bëni. Dua të them se jeni dashur dhe duheni, nga cilado qeveri maqedonase të kushtëzoni dhe përfitoni në zgjidhjen e këtyre te drejtave elementare shqiptare. Ju mendoni se pasi të integroheni në BE, do ta zgjidhni statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve?
E vallah pak si vështirë!
Ja shembujt konkret: Greqia, Bullgaria dhe Rumunia, janë shtete antare fuqiplotë të BE-së dhe NATO-së, por edhe sot vazhdojnë t’i diskriminojnë pakica e atjeshme turke, shqiptare, hungareze.
T’u përkujtoj se në Rumuni ka rreth 1.7 milionë hungarezë, por, gjendja e tyre është tejmase diskriminuese, sikurse e pakicës hungareze edhe ne Sllovaki…. Të mos e lodhim lexuesin më tepër. Afrim, nga kjo situatë, poentoni dhe përfitoni politikisht dhe në interes të shqiptarëve, dhe jo në interes të pushteteve që tani 30 vite me radhë nuk duan ta zyrtarizojnë gjuhën shqipe (nuk duan të dinë asgjë për shqiptarët), të cilën serbët e Kosovës me 5 për qind e kanë të rregulluar me automatizëm, pa protesta, pa beteja politike…

Konkluzion: Ndikimi i Serbisë në Maqedoni rritet falë pasivizimit të faktorit shqiptar, e jo aktivitetit të Bullgarisë, qoftë edhe duke përdorë veto.