Një kopsht zoologjik në Gjermani nuk i bën ballë krizës: Do t’i ushqejmë kafshët me njëra-tjetrën

Një kopsh zoologjik në Gjermani ka thënë se mund t’i ushqejë disa kafshë me kafshë të tjera për shkak të mungesës së fondeve në kohën e pandemisë.

Verena Kaspari, punëtore në kopshtin zoologjik në Neumunster, i tha gazetës “Die Ëelt”: “Nëse vjen puna deri aty, do të jem e detyruar t’i mbys kafshët me eutanazi e të mos i lë të ngordhin nga uria. Në rastin më të keq, do të jemi të detyruar t’i ushqejmë disa kafshë me kafshë të tjera.”

Ajo shtoi se ky veprim do të ishte i pakëndshëm, por kopshti nuk mbulohet nga fondi emergjent i shtetit për biznese të vogla. Vetëm në muajin e fundit, kopshti i ka humbur 175,000 euro në të hyra për shkak të mungesës së vizitorëve.

Kopshtet zoologjike të Gjermanisë janë bërë bashkë për të kërkuar 100 milionë euro ndihmë nga qeveria dhe donacione nga qytetarët, shkruan “The Guardian”.

Shoqata Kombëtare e Kopshteve Zoologjike tha se kopshtet zoologjike, ndryshe nga shumë biznese të tjera, nuk mund të mbyllen për ta zvogëluar koston e shpenzimeve, sepse kafshët duhet të ushqehen përditë dhe hapësirat për kafshët tropikale duhet të ngrohen në mbi 20 gradë.