Një foshnje e porsalindur diagnostifikohet me koronavirusin

Një foshnje në Kinë u diagnostifikua me koronavirusin vetëm 30 orë pas lindjes.

Foshnja lindi më 2 shkurt në qytetin Vuhan, ku mendohet të jetë epiqendra e virusit.

Nëna e foshnjës ishte e infektuar përpara se të lindte.

Mbetet e paqartë nëse sëmundja u transmetua të foshnja para apo pas lindjes.

“Kjo na kujton t’i kushtojmë vëmendje transmetimit të virusit nga nëna te fëmija”, tha për Reuters, mjeku kryesor i departamentit të mjekësisë neonatale në Vuhan, Zeng Lingkong, transmeton Rel.

Deri më tani nga koronavirusi kanë vdekur 563 njerëz dhe janë infektuar rreth 28.000 të tjerë.

Rastet e para të të infektuarve me virus u paraqitën në Kinë, por shumë shpejt sëmundja u përhap edhe në vende tjera të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur emergjencë globale shëndetësore.