Një fëmijë vdiq në sallën e edukatës fizike të një shkolle në Ferizaj, Policia nis hetimet

Një nxënës 15-vjeçar ka vdekur të enjten pas rrëzimit pa ndjenja në sallën e edukatës fizike të shkollës së mesme “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, fëmija është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Por mjeku kujdestar ka bërë të ditur se pavarësisht trajtimit mjekësor, ai ka humbur jetën.

“Me datë 17.04.2026, rreth orës 15:15, është pranuar një informatë se në shkollën e mesme “Kuvendi i Arbërit”, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, një nxënës mashkull (15 vjeç), në rrethana ende të panjohura, është rrëzuar pa ndjenja në sallën e edukatës fizike. I njëjti është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku, sipas mjekut kujdestar, pavarësisht trajtimit mjekësor, ka ndërruar jetë”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

Policia ka njoftuar se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.