Një femër nga Shkupi ka fituar 17 milionë euro për një vit

Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, qytetarët për vitin 2018 kanë paraqitur rreth 309 miliardë denarë të ardhura vjetore bruto dhe rreth 18,46 miliardë denarë taksë të të ardhurave personale

Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Sanja Llukarevska, ka mbajtur konferencë për media në të cilën ka prezantuar të hyrat bruto më të larta vjetore të paraqitura në formularet për Deklarimin Vjetor të Taksave për vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).

Llukarevska rikujtoi se nga fillimi i vitit 2018 zbatohet procedurë e re e paraqitjes dhe përllogaritjen e tatimit të të ardhurave personale me parashtrimin e përllogaritjes së të ardhurave dhe taksave në mënyrë elektronike.

Ajo tha se DAP përgatiti formularë të kompletuar për gjithsej 795.953 qytetarë, të cilët paraqitën rreth 309 miliardë denarë të ardhura bruto vjetore dhe rreth 18,46 miliardë denarë taksë të të ardhurave personale, ndërsa të ardhurat bruto më të larta vjetore u fituan nga një qytetare e Shkupit në vlerë prej mbi mbi 1 miliard denarë, respektivisht rreth 17,17 milionë euro.

“Në vitin 2018 një shkupjane ka realizuar të ardhurat bruto më të larta vjetore në vlerë prej 1.056.992.055 denarë. Një qytetar i Shkupit është i dyti në listë me të ardhura bruto të realizuara në vlerë prej 453.517.731 denarë”, tha Llukarevska.

Sipas të dhënave të DAP-it, 33.601 qytetarë kanë të ardhura bruto mbi 1 milion denarë, ndërsa shumica e qytetarëve, respektivisht 624,009 kanë të ardhura bruto nga 100 mijë deri në 1 milion denarë.

Llukarevska tha se paga më e lartë bruto për vitin 2018 ishte paguar në sektorin e shëndetësisë dhe arriti në rreth 183.8 milionë denarë ose afro 3 milionë euro, duke shtuar se në vitin 2018 është arritur fitimet më të larta kapitale në 10 vitet e fundit.

“Në vitin 2018 është arritur shuma më e lartë e fitimeve kapitale në 10 vitet e fundit, respektivisht një person nga Shkupi në bazë të fitimeve kapitale ka realizuar gjithsej 841.164.000 denarë të ardhura bruto”, tha Llukarevska.

Drejtoresha e DAP-it theksoi se të ardhura të larta ka edhe në mesin e më të moshuarve por edhe në mesin e më të rinjve. Personi më i moshuar që ka realizuar të ardhura prej mbi 10 milionë denarë ka 93 vjet, ndërsa më i riu ka 21 vjet.