Një ditë dhe 250 vjet

Shkruan: Blerim Shala

Një herë ishte Kampionati Evropian në futboll. Pastaj ishte Olimpiada që u mbyll pak ditë më parë. Më në fund, për pak muaj, në fillim të muajit nëntor na presin zgjedhjet presidenciale në Amerikë.

Shumëkush do të mund të reagojë këtu duke i quajtur të pavend këto krahasime midis dy ngjarjeve sipërore sportive dhe një tjetër, që nuk ka të përbashkët gjë me sport  (në shikim të parë, së paku).

Por është një element gjithsesi i përbashkët këtu: Interesimi i madh, i jashtëzakonshëm, i qytetarëve në të katër anët e Botës për futboll, për sportet olimpike, dhe për votimet në Amerikë. (Teksa te tri këto ngjarje zhvillohen me rregull, çdo katër vjet, apo jo).

Madje, duket se sivjet, si asnjëherë më parë do të përcillet secili hap në dyluftimin epokal në mes të dy pretendetëve për të marrë postin më të rëndësishëm politik dhe historik në Botë, atë të Presidentit të SHBA-së.

Në garë janë, siç e dimë të gjithë, Zëvendës-Presidentja aktuale Kamala Harris, e cila pritet të konfirmohet si e nominuar e Partisë Demokratike për postin e Presidentit javën vijuese, në Konventën e kësaj partie që do të mbahet në Chicago, dhe ish-Presidenti i Amerikës, në vitet 2017-2021, Donald Trump, i cili është kandidat i Partisë Republikane.

Dikush mund të thotë, me të drejtë, që Trump jo vetëm që është për herë të tretë kryelojtar në fushëbetejën më të rëndësishme politike në Botë, por, që nga viti 2016  (kur ishte sfiduesi befauses në këtë garë, sepse mori nominimin republikan pa qenë as senator, as guvernator, as zyrtar politik, por një ndërmarrës dhe show-man), ai është krye-emri i një politike krejtësisht ndryshe, të paparë në historinë e re të demokracisë amerikane.

Trumpizmi si drejtim politik sot është më i fuqishëm se kurrë në Amerikë, gjë që mund të vërehet këto ditë edhe me përcjelljen, qoftë edhe sipërfaqësore të fushatës së Trumpit dhe të përkrahësve të tij.

Trump ka botëkuptimin e vet personal jo vetëm për Amerikën, për historinë e saj, por edhe për gjithë Botën.

Midis tij dhe Kamala Harris mbase nuk ka asgjë të përbashkët, pos që te dytë janë amerikanë dhe te dytë flasin anglisht.

Në anën tjetër, Harris, e cila e mori ‘pishtarin’ nga Presidenti aktual Joseph Biden  (ky në atë deklaratën e tij kur hoqi dorë nga dyluftimi me Trumpin, pati thënë, pos tjerash, që ka ardhur koha që ‘pishtarin’ t’ia bartë brezit të ri), duket se po e shijon çdo moment të fushatës, sepse asaj i ka ndodhur fitorja e parë tashmë, mbase ajo më e vështira: Harris ka arritur t’i bashkojë prapa vetes të gjithë emrat më të njohur të Partisë Demokratike dhe një masë të jashtëzakonshme të përkrahësish të saj, të cilët po e përcjellin kudo që po shkon ajo në rrugëtimin e fushatës parazgedhore.

Harris e ka ngjallur një parti që ishte në gjendje komatoze dhe të pashpresë pak javë më parë, teksa në ditët e fundit, edhe në bazë të hulumtimeve të opinionit publik, po del që mund ta sfidojë seriozisht Trumpin që deri pak kohë më parë llogaritej si favorit në zgjedhjet e caktuara për 5 nëntor.

Megjithatë, është tepër herët për të nxjerrë konkludime të prera se çfarë pritet të ndodhë me 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale në Amerikë.

Kjo garë e madhe do të ndryshojë për çdo ditë të lume në ditët dhe javët që kanë mbetur deri në fillim të muajit nëntor, kur do të merret vesh kush do të jetë Presidenti i 47-të i SHBA-së, i cili do të ketë nderin, pos tjerash, që me 4 korrik të vitit 2026 t’i prijë festimit të 250 vjetëve të ekzistimit të Republikës së Amerikës.

Atëherë, në vitin 2026, do të jetë shumë më e qartë se ku qëndron Amerika dhe ku qëndron Perëndimi në rrjedhat kryesore të historisë në Botë.