Ndryshe nga herët e tjera, në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe një palë e tretë, e që janë ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Ndonëse nuk dihet ende saktë se me iniciativë të kujt janë ftuar këta ambasadorë, nga Vetëvendosje gjatë ditës së sotme thanë se të njëjtit nuk janë thirrur për të ndërmjetësuar.
Ishte Erzen Vraniqi nga VV që përmes një postimi në Facebook tha se ndërkombëtarët janë ftuar në cilësi të ndihmësve, e jo të ndërmjetësuesve.
Sidoqoftë, kanë kaluar tre muaj e 22 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa VV dhe LDK kanë ngecur në pikat që dikur më së paku mund të mendoheshin se mund të bëhen “mollë sherri” për përplasjen mes dy partive.
Mbetet të shihet nëse “ndihmësit” e QUINT-it do të arrijnë t’i bindin krerët e LDK-së dhe VV-së të heqin dorë nga kërkesat e tyre për poste, dhe t’i lirojnë hapësirë arritjes së marrëveshjes për qeverisje.
Teksa, afati i fundit kushtetues për mandatarin, Albin Kurti për formimin e Qeverisë është 4 shkurti.